RTSH Sport Live

Silvan Adams, një pedalim për lirinë…

  • 15/10/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Silvan Adams, një pedalim për lirinë…
Filantropi izraelito-kanadez, në Durrës

Një nga komplekset turistike përgjatë bregdetit të Durrësit, që ka mikpritur afro 600 refugjatë afganë që janë larguar nga vendi i tyre pas marrjes së pushtetit nga Talibanët, ka patur të enjten një mik tepër interesant. Silvan Adams, një miliarder dhe filantrop izraelito-kanadez, ka mbërritur në Shqipëri dhe, menjëherë pas takimit pasdreke në kryeqytet me Kryeministrin Edi Rama, ka udhëtuar drejt qytetit bregdetar, ku është pritur nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar (KOKSH), Fidel Ylli, i cili ishte i shoqëruar edhe nga Presidenti i Federatë Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku.

Në fakt, kjo vizitë e filantropit Adam ndërthurte misionin humanitar me pasionin e tij për sportin e çiklizmit, teksa ai është “kampion bote” për veteranët, por edhe kampion i disafishtë në garat në pistë. Dhe, pasi janë shkëmbyer dhuratat e rastit, midis biznesmenit të njohur dhe drejtuesit të KOKSH-it dhe të dyrrotakëve shqiptarë, filantropi ka vijuar të bëjë edhe një pedalim të shkurtër, i shoqëruar nga disa çiklistë të rinj shqiptarë, por edhe disa vajza afgane që e pëlqejnë këtë sport. Dhe duke folur posaçërisht për RTSH Sport pikërisht gjatë këtij pedalimi, Adams ka përcjellë edhe mbresat e tij të para.

 “Mikpritja ishte e mrekullueshme. Ishte e bukur të pedaloj me çiklistët tuaj të rinj dhe takova edhe kampionin e Shqipërisë për të rinj. Sigurisht, edhe me vajzat afgane, po pedaloja dhe po bisedoja me ta, për udhëtimin e tyre, sesa të trembura që ishin këto kohë, sepse atje në vendin e tyre ishin trembur për vdekje. Njëra prej tyre më rrëfeu se ajo është fizikisht këtu, por shpirtërisht dhe mendërisht është atje, sepse prindërit e saj dhe familja e saj është akoma atje. Pra, ishte diçka e vështirë për ta, por ishte shumë e rrezikshme për ta, sepse ata janë Hazara, një fis i persekutuar nga Talibanët. Ajo më tha që është e lumtur që është këtu, por udhëtimi ende nuk ka përfunduar për ta, sepse ne duhet t’u gjejmë një vend të përshtatshëm ku të vendosen përfundimisht dhe të marrin atje edhe pjesën tjetër të familjes.”)

Më tej, 62-vjeçari ka shprehur edhe mirënjohjen e tij për Shqipërinë.

“Ishte shumë prekëse për mua dhe jam i bekuar që kam qenë në gjendje t’i ndihmoj të largohen që andej dhe të vijnë këtu dhe faleminderit të gjithë Shqipërisë që i ka mikpritur këta njerëz në nevojë. Ju po na tregoni edhe një herë zemra tuaj të madhe, zemrën e madh të popullit tuaj dhe unë i jam gjithashtu mirënjohës kryeministrit, që është kaq bujar dhe që u kujdes për vëllezërit tuaj nga Afganistani. Bota u tregoi atyre se çfarë ishte liria dhe, kur NATO u largua, ata u kthyen me shekuj prapa dhe kjo është shumë e trishtë, sepse të provosh lirinë dhe ta humbësh atë, është shumë mizore. Prandaj unë e cilësoj këtë për këto vajza si “pedalimi i lirisë.”)

Pas këtij pedalimi, Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, e ka falënderuar filantropin e njohur, duke e ftuar atë të jetë i pranishëm edhe në çiklizmin shqiptar. 

“Unë dua ta falenderoj Silvan Adams, që ka ardhur këtu për të ndihmuar këta njerëz në nevojë, që kanë ikur nga Afganistani, kanë lënë vendin e tyre, shtëpitë e tyre, njerëzit e tyre dhe kanë ardhur këtu. Dhe këtë  e bëri të mundur Silvan, i cili ka paguar për shpenzimet dhe ne i jemi mirënjohës. Në të njëjtën kohë, është dhe president nderi i federatës së çiklizmit në Izrael dhe ne e falenderuam. Gjithashtu, do ti bëjmë dhe një ftesë, sepse ne në datën 23 maj kemi Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, ku do të marrin pjesë 20 shtete dhe do të donim që të ishte dhe ekipi i dytë i Izraelit për të marrë pjesë në këtë tur. I jemi mirënjohës si Komitet Olimpik, Federata e Çiklizmit dhe duhen sa më shumë njerëz si Adams që të ndihmojnë njerëzit në nevojë me ato mundësi që kanë”, ka deklaruar Ylli.

Një ftesë që Adams e ka pranuar me kënaqësi.

 “Sapo kam mësuar për Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, duke biseduar me Presidentin e Federatës suaj të Çiklizmit. Siç e përmendi edhe presidenti Ylli, unë jam Presidenti i Nderit i Federatës së Çiklizmit të Izraelit, por edhe pronari i një ekipi çiklizmi, siç është “Izrael Start-up Nation”, që garon në nivel botëror, por ne kemi edhe një skuadër të dytë të Nën-23-vjeçarëve, pra, kontinentale, dhe ne do të shikojmë mundësinë ta sjellim këtë skuadër këtu për Rrethin tuaj. Por, kur të vijmë, po ju paralajmëroj se do të vijmë për të fituar, sepse kjo është mënyra që ne e bëjmë këtë sport. Por do ta studiojmë këtë garë, e vlerësojmë ftesën tuaj dhe do ta vendosim atë në kalendarin tonë.”