RTSH Sport Live

Skënderbeu, i katërti me keqardhje

  • 08/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Skënderbeu, i katërti me keqardhje
Korçarët barazojnë me Laçin dhe humbin shansin për t’u distancuar nga ndjekësit

Skënderbeu hyn në katërshe por nuk mund të jetë plotësisht i kënaqur, pasi barazimi në shtëpi me Laçin i hoqi mundësinë e artë për të shkuar tri pikë mbi ndjekësit dhe tani duhet të luftojë me Vllazninë në Shkodër.

Skënderbeu është ngjitur në vendin e katërt në javën e parafundit të kampionatit me barazimin 1-1 me Laçin, por skuadra korçare mund të jetë e kënaqur vetëm përgjysmë pas ka humbur shansin për të pasur një distancë prej tri pikësh nga tre ndjekësit në renditje. Sigurisht që mund të kishte qenë edhe më keq, pasi skuadra e Ivan Gvozdenoviç arriti të barazonte vetëm në minutën e 97-të me penallti përballë një kundështari që luajti për gjithçka.

Pika e marrë nuk i mjafton Laçit për të shpëtuar nga rënia nga Kategoria dhe për ta siguruar duhet të luajë në play-out me një skuadër nga Kategoria e Parë. Laçjanët hynë në fushë me vendosmërinë për fitore dhe provuan disa herë në pjesën e parë, pa mundur të kalonin portierin Alia, ndërkohë që vendasit zgjohen vetëm nga fundi i kësaj pjese.

Pas pushimit korçarët përpiqen më tepër, por pa asnjë rast për t’u shënuar, deri në minutën e 65-të, kur rashica godet shtyllën. Fundi i takimit bëhet dramatik kur në minutën e 79-të Laçi më në fund gjen golin e epërsisë, me anë të Melos, që shënoi pasi korçarët nuk arritën të pastronin zonën.

Laçi sheh shpëtimin, ndërsa Skënderbeu rrezikun e luajtjes në play-out, por fundi i lojës është me fat, kur në minutën e pestë shtesë Qato prek topin me dorë në zonë dhe Jorgji akordon penallti. Pas dy minutash, Rashica ekzekuton saktë dhe Skënderbeu kap vendin e katërt, të cilin duhet ta ruajë javën e fundit në Shkodër.