RTSH Sport Live

Skënderbeu, merkato drejt mbylljes

  • 26/08/2022
  • |
  • Kategoria e Parë
Skënderbeu, merkato drejt mbylljes
Memelli pret ardhjen e dy futbollistëve afrikanë, sulmi shqetëson teknikun

Skënderbeu po përgatitet maksimalisht për Kategorinë e Parë. Objektivi i klubit korcar është rikthimi në Superiore, pavarësisht se sezoni pritet të jetë i luftuar duke parë që pjesa më e madhe e skuadrave si Dinamo,Flamurtari,Lushnja, apo Apolonia kanë shprehur hapur objektivat e tyre madhorë. Skuadra ka krijuar fizionominë sipas ideve të Migen Memellit dhe 42-vjeçari pret vetëm ardhjen e dy afrikanëve

“Presim dhe dy futbollistë afrikanë dhe besoj se gjithçka më pas është e mbyllur përsa i përket merkatos”, ka theksuar Memelli.

Belajdi Pusi është sulmuesi që do të mbajë peshën kryesore në këtë repart, ndërsa po të shohësh lojtarët e tjerë, janë futbollistë të rinj e pa eksperiencë. Dicka që e shqetëson Memellin, pasi në miqësoret e zhvilluara sulmuesit kanë humbur shumë raste për gol

“Është e vërtetë që ne krijojmë raste për shënim e na çalon finalizimi. Por në një kampionat të fortë gjërat duhen mbyllur më shpejt. Pra duhet shënuar goli i dytë e me radhë, sepse në këtë kampionat kundërshtarët, sidomos në fushën e vet, bëhen më agresiv kur vjen fundi i lojës. Ndaj duhet përmirësuar si defekt”, ka përfunduar Memelli.