RTSH Sport Live

Skënderbeu, të gjitha janë finale

  • 07/02/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Skënderbeu, të gjitha janë finale
Ivan Gvozdenoviç, përtej fitores me Tërbunin, ka shumë vërejtje për ekipin

Skënderbeu është rikthyer plotësisht në garë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Fitorja e së hënës me Tërbunin, 2-0 me golat e Liços dhe Sumailës, e ka ngjitur në vendin e dytë Skënderbeun me 26 pikë vetëm katër pikë larg Dinamos kryesuese. Por për Ivan Gvozdenoviç ndeshja me pukjanët nuk ka qenë e mirë për bardhekuqtë, pavarësisht pikëve maksimale.

"Nuk ishte shumë e mirë si lojë. Pjesa e parë ishte e mirë, por e dyta nuk ishte në nivelin e kërkuar për skuadrën tonë, ndërsa ishim dhe me pak fat. Megjithatë jemi Skënderbeu dhe çunat e meritojnë suksesin. Edhe kushtet për futboll, së bashku me kohën nuk ishin normale. Por gjithsesi jemi të lumtur për pikët", thotë Gvozdenoviç.

E sipas serbit të pankinës së Skënderbeut ishin një sërë gjërash që nuk shkuan në skuadër, të cilat duhen përmirësuar

"Nuk ishte mirë përqendrimi. Nuk ishte mirë agresiviteti dhe në fazën e sulmit ishim pak egoistë. Kjo ishte e dukshme dhe nuk është e mirë për 2-3 lojtarë. Por do të rregullohen të gjitha këto gjëra këtë javë", thekson trajneri i Skënderbeut.

Jo vetëm përballja me Dinamon, por të gjitha ndeshjet për Skënderbeun janë si një finale më vete.

"Dinamo është kundërshtar i fortë, ndërsa për ne çdo javë është si finale. Kemi dhe 4-5 ditë përgatitje për Dinamon dhe jam i sigurtë se gjithçka do të jetë në rregull", nënvizon serbi.

Por çfarë duhet të rregullojë skuadra që përballë bluve të dalë fitimtare?

"Do të përmirësojmë lojën dhe mentalitetin. Unë e di që jo gjithçka shkon "vaj". Ishim mirë këto 4-5 ndeshjet e fundit, por skuadra do të ketë dhe uljet e saj. Që do të thotë se do të jemi pak poshtë në nivel, edhe sepse jemi të lodhur. Por unë kam besim tek djemtë dhe do të bëjmë punë të mirë për këtë skuadër", deklaroi Gvozdenoviç.

Dinamo – Skënderbeu luhet të shtunën e 11 shkurtit në ora 14:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.