RTSH Sport Live

Skuka-Asllani, Shqipëria e mbyll me fitore 2022-shin

  • 19/11/2022
  • |
  • Kombëtarja
Skuka-Asllani, Shqipëria e mbyll me fitore 2022-shin
Goli i Skukës dhe 11-metërshi i saktë i Asllanit mposhtin Armeninë në miqësoren e Tiranës

Shqipëria ka zbritur të shtunën në fushën e Stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë për herë të dytë brenda pak ditësh, teksa është përballur me Armeninë në miqësoren e dytë në fushën e saj dhe të 3-tën gjithsej gjatë këtyre 3 javëve të para të nëntorit. Në fakt, përballja ka nisur mirë për kuqezinjtë e trajnerit Edoardo Reja, i cili ka sjellë disa risi në formacion, dhe, pas një pretendimi të Skukës për një 11-metërsh në minutën e 4-t, por që hidhet poshtë nga gjyqtari, 5 minuta më pas është Laçi që shikon portierin dhe shtyllën horizontale t’i mohojnë një gol. 20 minutat në vijim do të shohin Kombëtaren të këmbëngulë, përtej përpjekjeve të skuadrës mike për të rrezikuar portën e Berishës dhe Shqipëria do të arrijë më në fund të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 28-të.

Asllani jep një pasim perfekt për Çokajn i cili ul topin për Skukën dhe ky i fundit nuk gabon me gjuajtjen e tij dhe kalon në epërsi kuqezinjtë. Armenët do të kundërpërgjigjen me dy raste të shkuara dëm nga i njëjti lojtar, Biçakhçjan, ndërsa me përpjekjen gjithashtu pa rezultat të Ernest Muçit, por me epërsinë minimale do të mbyllet pjesa e parë e kësaj ndeshjeje. E dyta nis e vrullshme, me Armeninë që këmbëngul në minutat e para, por mund të ishte ndëshkuar në të 51-tën, kur Skuka përfiton nga gabimi i mbrojtjes mike, por nuk gjen kuadratin. Miqtë vazhdojnë të këmbëngulin, por në krahun tjetër, është i sapofuturi në fushë, Cara, që fiton një 11-metër, kur pengohet brenda zonës.

Është Kristjan Asllani ai që ruan qetësinë dhe e dërgon topin në rrjetë dhe dyfishon epërsinë e kuqezinjve në minutën e 63-të. Gjysmëora e mbetur e lojës do të shohë të dyja skuadrat të guxojnë në drejtim të portave përkatëse, me kuqezinjtë që provojnë me anë të Carës, Ramadanit apo Bajramit, dhe me armenët që godasin shtyllën e majta pingule të portës së Berishës. Sidoqoftë, mbyllet me fitoren 2-0 të Shqipërisë kjo miqësore me Armeninë dhe tashmë vëmendja zhvendoset tek Eliminatoret e Evropianit, që nisin në mars të vitit të ardhshëm. 

 

NDESHJA LIVE

Mbyllet sfida, Shqipëria mund Armeninë me rezultatin 2-0, me golat e Skukës dhe Asllanit(me 11-metërsh)

90’+2 Është Muçolli që provon me jë gjuajtje nga distance, por portiere i Armenisë i thotë jo. Më pas është Adrian Bajrami që tenton, por pa arritur të devijojë si duhet

90’ Biçakhçjan ka lëshuar një të majtë të fuqishme, por shtylla i mohon golin

87’ Cara arrin të shkëputet bukur dhe të shënojë, por gjithçka është anulluar për një pozicion jashtë loje

61’ Cara futet në zonën e armenëve, por pengohet në mënyrë të parregullt. Kristjan Asllani godet nga pika e bardhë, 2-0

53’ Një sulm nga e majta ka krijuar një mundësi për Biçakhçjan, i cili ka goditur mbi traversë

53’ Një gabim i mbrojtjes armene i ka dhënë mundësinë Skukës që të dalë i vetëm përpara portës, por gjuajtja e tij është krejtësisht e gabuar

46’ Janë armenët që shfaqen rrezikshëm në zonën kuqezi, por topi i krosuar nga Shaghojan nuk është shfrytëzuar nga sulmuesit

Nis pjesa e dytë

Mbyllet pjesa e parë

43’ Kombinimi Laçi-Hadroj ka krijuar një mundësi të mirë për Muçin, por që nuk kordinohet si duhet në gjuajtje

28’ Shqipëria në avantazh, pas një aksioni model është Skuka që e dërgon topin në rrjetë

24’ Harutjunjan provon të befasojë Berishën me një gjuajtje nga mesfusha, për topi përfundon jashtë  kuadratit

19’ Skuka provon me një gjuajtje brenda zonës, por që përfundon jashtë

16’ Armenia rrezikon me një gjuajtje nga distance, me protagonist Bçakhçjan

9’ Një sulm nga e djathta ka nxjerrë në pozicion goditja mesfushorin Laçi, por shtylla u ka ardhur në ndihmë armenëve

3’ Skuka pengohet brenda zonës armene, por gjyqtari e konsideron gjithçka të rregullt. Por më pas është VAR që ndalon lojën, por edhe vendimi i dytë i gjyqtarit është i njëjtë, nuk ka 11-metërsh.

Ka nisur sfida mes Shqipërisë dhe Armenisë, miqësorja e fundit për këtë vit për kuqezinjtë, të cilët do të kërkojnë një mbyllje me fitore.  Kuqezinjtë nisin topin të parët nga mesfusha.

SHQIPËRI-ARMENI

SHQIPËRIA: Berisha, Mihaj, Kumbulla, Bajrami, Hadroj, Laçi, Asllani, Çokaj, Lenjani, Skuka, Muçi.

Trajner: Edoardo Reja

ARMENIA: Buçnev, Voskanianian, Harojan, Mkritçjan, Grigorjan, Hartjunjan, Dashjan, Hovhanisjan, Biçakhçjan, Babajan, Shaghojan.

Trajner: Roman Berezovski