RTSH Sport Live

Sot, "dita" e golave në RTSH Sport

  • 09/11/2020
  • |
  • Evente Sportive
Sot, "dita" e golave në RTSH Sport
Golat e javës së 7-të të "Serie A", sot në orën 20.00 në RTSH Sport

Nëse keni humbur diçka nga fundjava futbollistike evropiane, mos u shqetësoni, RTSh Sport mendon për ju, duke ju sjellë më të mirën të zhvilluar në arenat më të njohura evropiane në fundjavë. Në orën 18:00 mund të gjeni golat dhe emocionet që vijnë nga kampionati francez i futbollit, e aftë të dhurojë gjithnjë ndeshje me gola dhe të luftuar deri në fund, madje edhe me surpriza. Ndërsa në orën 20:00, po në ekranin sportiv të platformës digjitale të RTSh-së, vijnë edhe yjet dhe gjigantët e Serisë A. Ronaldo, Ibrahimoviç apo Lautaro Martinez argëtojnë dhe vendosin ndeshjet e skuadrave të tyre, me rezultate të paparashikueshme dhe me ndeshje gjithnjë emocionuese. Por e hëna në RTSh Sport ju ofron mundësinë të njiheni edhe me atë çfarë prodhoi java e dytë e kampionatit shqiptar të futbollit. Në orën 16:30 vjen ritransmetimi i Rubrikës Sportive, ku nëpërmjet zërit të protagonistëve dhe analizën e specialistëve mësoni më shumë mbi Superioren, Kategorinë e parë, futbollin e femrave dhe ekipin kombëtar. Mbrëmja më pas është e rezervuar për dokumentarin, një nga serialet më të ndjekura të muajve të fundit. Xhordan, kërcimi i fundit, vjen sot me takimin e saj të tretë, për të zbuluar edhe më shumë mbi prapaskenën e karrierës së një prej sportistëve më të mëdhenj të historisë. Pa harruar edhe takimet me edicionin e lajmeve sportive, në orën 19:00, 21:00 dhe 23:00, për të mësuar të rejat më të fundit sportive të ditës.