RTSH Sport Live

Spanjë – Ukrainë, finalja e futbollit të sallës për femra

  • 17/03/2023
  • |
  • Futboll Bota
Spanjë – Ukrainë, finalja e futbollit të sallës për femra
Eleminohen Portugalia dhe Hungaria, e diela vjen me emocione më të mëdha për trofeun

Spanjë – Ukrainë. Kjo do të jetë finalja e Kampionatit të 3-të Europian të futbollit të sallës për femra, që është duke u zhvilluar në Debrecen të Hungarisë e që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Për Spanjën, dy herë kampione e Europës në futbollin e sallës për femra, në gjysmëfinale ka qenë një përplasje e përhershme, sepse ka patur përballë Portugalinë. Në fakt nuk ka qenë një fitore e lehtë për iberiket, ndërsa Vanesa ka shënuar që në aksionin e parë për Portugalinë. Spanja gjen forcat që të përmbysë që në pjesën e parë, ndërsa ka shënuar Lusi në të 8’ dhe Noelia në të 14’. Vanesa vendos ekuilibrin, teksa barazon në 2-2, por gëzimi i portugezeve zgjat pak. Brenda një minute Irene Kordoba shënon golin e tretë për Spanjën, që ishte dhe goli i fitores për iberiket.

Ndërkohë Ukraina ka mundur me përmbysje Hungarinë. Horvat ka shënuar në të 11’. Por Shulha, truri i skuadrës ukrainase, gjen dygolëshin e saj. Ka barazuar në të 15’ dhe ka shënuar golin e fitores në të 32’. Finalja e madhe Spanjë – Ukrainë luhet të dielën në ora 20:00, kurse për vendet 3-4, Hungari – Portugali, zhvillohet në ora 17:00, ndërsa futbolli i sallës për femra do të vijë dhe të dielën me të tjera emocione.