RTSH Sport Live

Sporti bën bashkë fëmijët shqiptarë e afganë

  • 10/10/2021
  • |
  • Evente Sportive
Sporti bën bashkë fëmijët shqiptarë e afganë
Dita Olimpike shërbeu si një shenjë solidariteti për të gjithë të ardhurit në vendin tonë

Sporti bën bashkë fëmijët shqiptarë me ata afganë, ndërsa një Ditë Olimpike, e organizuar në një nga resortet pranë plazhit të Golemit, është konsideruar si një ditë solidariteti me të gjithë refugjatët afganë, që ndodhen në vendin tonë. Iniciativa e Akademisë Olimpike, por dhe e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka mbledhur fëmijët e shkollave 9-vjeçare të Durrësit. Por jo vetëm kaq. Por dhe ekipin e çiklizmit të Teutës, apo dhe një ekip karateistësh të Durrësit. Prania e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, së bashku me sekretarin e përgjithshëm Gerti Shima i dha më tepër rëndësi aktivitetit në të cilin ishin të pranishëm dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, dhe sekretari i përgjithshëm Alfred Tahiraj. E i pari i olimpizmit shqiptar shpjegon dhe ndjesinë e tij për këtë aktivitet

“Ne mendojmë që Komiteti Olimpik dhe Lëvizja Olimpike është një gjë shumë e rëndësishme, prandaj jemi këtu, që ata të mos e ndjejnë më atë pikëllim që kanë lënë vendin e tyre. Pjesa dërrmuese e sportistëve që u nisën dje për në Zvicër ishin çiklistë, boksierë, mundësa, ishte zëdhënësja e Komitetit Olimpik”, ka deklaruar Ylli.

Muzikë shqiptare e afgane, ndërsa fëmijët të kapur dorëpërdore kanë vallëzuar së bashku. Kanë luajtur së bashku e kanë festuar së bashku. E për Yllin kjo ishte më shumë se sa e rëndësishme.

“Ky është qëllimi i sportit, të jemi bashkë. Duke qënë bashkë edhe dhimbjet bëhen më të lehta. Ata kanë dhimbje sot, ne kemi qënë pranë tyre që ditën e parë që kanë ardhur”.

E nuk mund të mungonte në mikrofonin e RTSH Sport dhe fjala e afganëve, që sot janë më tepër se sa refugjatë në vendin tonë. Sinaljet e vëllazërimit e ka sjellë pikërisht kjo Ditë Olimpike e ky organizim i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili ka qenë pranë tyre që në ditët e para kur kanë ardhur në vendin tonë

 “Së pari duhet të falënderojmë të gjithë popullin shqiptar për mikëpritjen. Por mbi të gjitha dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, që organizoi këtë ditë sportive duke i dhënë më tepër kuptim jetës dhe argëtimit të fëmijëve tanë. Jemi ndjerë si në shtëpinë tonë, ndërsa shqiptarë e afganë janë bërë bashkë. E kjo është shumë e rëndësishme për ne, që do të thotë se sporti bashkon dhe jep vlera të mëdha solidariteti. Ndaj jemi dhe më shumë se sa të kënaqur”.

Në përfundim topa, fanella e gjithçka tjetër që lidhet me bazën materiale sportive në mënyrë që fëmijët afganë të kenë mundësi të kalojnë kohën e lirë në mënyrën më të mirë të mundshme.