RTSH Sport Live

Sporti dhe gjithëpërfshirja, sfidë për Olimpikun Special

  • 11/03/2023
  • |
  • Të tjera
Sporti dhe gjithëpërfshirja, sfidë për Olimpikun Special
Konferenca kërkon ndërgjegjësimin e të shoqërisë ndaj njerëzve me aftësi të kufizuar intelektuale

Komiteti Olimpik Special i Shqipërisë e ka ngritur siparin e aktiviteteve për vitin 2023 me konferencën “Sporti për Gjithëpërfshirjen”, e cila është zhvilluar në ambientet e hotel “Tirana-International” nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës. Madje një aktivitet që përfshihet në të gjitha veprimtaritë e Tiranës si Kryeqytet Europian i Sportit për vitin 2023. Sara Bala, Drejtoreshë Sportive e Komitetit Olimpik Special, shpjegon dhe teknikalitetet e këtij eventi: “Konferenca e Sportit për Gjithëpërfshirjen përmban plot 11 guida specifike të dedikuara për atletet me dhe pa aftësi të kufizuara. Duke filluar nga nevojat më bazike të fitnesit dhe të kapacitetit fizik. Duke vazhduar me nevojat për gjithëpërfshirjen në një sport grupi siç është basketbolli dhe futbolli. Tek sportet e tjera siç janë peshëngritja dhe noti ku kanë rregullore specifike të organizimit të lojrave dhe stërvitjes deri në detajet e veshjes dhe gjygjësisë”.

(Sara Bala, Drejtoresha Sportive e Komitetit Olimpik Special)

Drejtori Kombëtar i Komitetit Olimpik Special, Landi Hysi, tregon rëndësinë e kësaj konference për komunitetin e njerëzve më aftësi të kufizuar intelektuale për të bërë sport. “Nëse jemi në këtë vend dhe duam të ecim përpara duhet ta bëjmë bashkë dhe jo të ndarë. Gjithëpërfshirja është motoja, sigla, himni për ne dhe do të mundohemi që ta fuqizojmë këtë fjalë dhe ta shpërndajmë kudo”, tha Landi Hysi.

Por a është e ndjeshme shoqëria shqiptare ndaj njerëzve me aftësi të kufizuar? “Kemi parë një rreagim shumë pozitiv dhe këtu i referohem një aktiviteti që kemi organizuar në pazar me emër “Luajmë në Pazar”, i zhvilluar gjatë verës. Aktivitetet tona në atë fushë mundohemi t’i mbajmë gjithëpërfshirëse dhe në aspketin të bëjmë bashkë personat me dha pa aftësi të kufizuara intelektuale”, tha Hysi.   

(Drejtori Kombëtar i Komitetit Olimpik Special, Landi Hysi)

Sa e vështirë është ta mbash gjallë këtë komunitet në kushtet edhe të financave të cunguara, kjo përtej mbështetjes që mund të japi vetëm Bashkia e Tiranës? “Ka sfida por për sa kohë që ne do të kemi rreagime positive siç është dhe ai i Bashkisë Tiranë mendoj se duhet të jemi optimistë. Urojmë që sa më shpejt edhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit të rreagojë pozitivisht duke implementuar dhe duke kaluar shtesat dhe ndryshimet për ligjin, pra me këtë nënkuptojmë ‘Special Olimpics Albania’ si një organizatë unike në Botë që zhvilon sport për të gjithë disiplinat për personat me aftësi të kufizuar intelektuale”, tha Hysi.

Ndërkohë për Balën edhe Federatat Sportive janë treguar bashkëpunues ndaj Komitetit Olimpik Special. “Federata e Futbollit, Atletikës, Basketbollit e Notit gjithashtu mund të themi se kemi bërë hapa para pasi kemi patur takime konkrete për trajnerët dhe atletet tanë”, tha Bala.

Për Komitetin Olimpik Special përgjatë vitit 2023 veprimtaria më e rëndësishme janë Lojërat Olimpike Speciale, që në Berlin zhvillohen më 17 deri më 25 qershor. GJ.V.