RTSH Sport Live

Struga ndëshkohet në fund dhe eliminohet

  • 18/07/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Struga ndëshkohet në fund dhe eliminohet
 Mundet 1-2 në Ohër përballë Zhalgirisit të Vilniusit me dy gola në 12 minutat e fundit

Mungesa e përvojë në arenën ndërkombëtare e ka ndëshkuar Strugën, pasi kampionia shqiptare e Maqedonisë së Veriut është mundur në shtëpi në ndeshjet e kthimit të turit të parë të Ligës së Kampioneve. Ndonëse ishte duke kryesuar 1-0, skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro është mposhtur nga Zhalgirisi i Vilniusit dhe është eliminuar nga veprimtaria më prestigjioze e klube të Evropës. Në takimin e zhvilluar të martën pasdite në Ohër, Struga u mund 1-2 përballë kampiones së Lituanisë, në një përballje që u vendos në minutat e fundit.

Ishte kampionia e Maqedonisë së Veriut, që kaloi në epërsi e para në minutën e 76-të, kur Besart Ibraimi u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Por Zhalgirisi reagoi shpejt për ta kaluar me sukses turin e parë eliminator të Ligës së Kampioeve, teksa shfrytëzoi mungesën e përqendrimit të struganëve dhe shënoi dy gola të shpejtë, duke siguruar fitoren 2-1. Në minutën e 78-të, Yuri Kendysh barazoi rezultatin në 1-1.

Ndërkohë në minutën e 6 minuta para fundit të kohës së rregullt, Strugës i mungoi fati teksa mbrojtësi Mexhit Neziri shënoi autogol, duke i dhuruar fitoren Zhalgirisit. Ndeshja e parë e luajtur në Lituani ishte mbyllur pa gola dhe Struga ishte në pozitë të favorshme për ndeshjen e kthimit, por vijoi të mposhtej para tifozëve të saj.

Struga e fitoi sezonin e shkuar për herë të parë titullin e kampiones në Maqedoni të Veriut, duke luajtur për herë të parë edhe në Ligën e Kampioneve, por aventura i zgjati pak. Tani skuadra e shpëtim Duros do të vazhdojë rrugëtimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës.