Pesëdhjetë e nëntë tifozë francezë që mbërritën në Shtutgart për ndeshjen e Ligës së Kampionëve të planifikuar për këtë mbrëmje kundër PSG-së (ora 21:00) u arrestuan dhe do të mbahen në paraburgim deri nesër në mëngjes.
Lajmin e ka bërë të ditur policia lokale. “Ultratsit francezë dhe gjermanë nga të dyja skuadrat synonin të përplaseshin jashtë stadiumit”, nënvizuan autoritetet gjermane, duke zbuluar se edhe tifozët e Saint-Etienne kishin mbërritur në Gjermani për të mbështetur ultrasit e Shtutgartit.
Për të shmangur tensionet e mundshme, policia gjermane, e ndihmuar nga policia parisiene, ka nisur nga dita e djeshme kontrolle në stacion dhe në hotelet e qytetit. Një gjyqtar vendosi masën e ndalimit parandalues për 59 tifozë për të shmangur përplasjet deri në fund të ndeshjes.
Në të njëjtën kohë, 47 tifozë të ekipit vendas, të cilët tentuan të ndiqnin ultrasit francezë, u ndaluan të hyjnë në qendër të qytetit dhe në lagjen Bad Cannstatt, ku ndodhet edhe stadiumi Neckardstadion ku do të zhvillohet ndeshja.