RTSH Sport Live

Superkupa e Kosovës, në dyshim për 23 janarin

  • 19/01/2021
  • |
  • Kosova
Superkupa e Kosovës, në dyshim për 23 janarin
Luhet për herë të parë jashtë vendit, në Turqi, por problem mbeten testet e “Covid-19”

Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e vlefshme për Superkupën e Kosovës dhe e planifikuar të luhet më 23 janar në Antalia të Turqisë, mund të mos zhvillohet në këtë datë. Të dyja klubet kishin bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovës, që ky duel të luhet në Antalya, për arsye të fazës përgatitore të cilën ekipet kosovare do ta kryejnë në qytetin bregdetar të Turqisë.

 Megjithatë, mediat në Prishtinë raportojnë se janë vetë dy skuadrat që nuk do të pranojnë zhvillimin e Superkupës në Antalia, nëse testet e kryera në Kosovë për koronavirus nuk pranohen nga shteti turk. Drejtori i përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli, ka thënë për mediat vendase se e kanë njoftuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës për situatën që është krijuar.

Ai e pranon se nuk është e sigurt se dueli i 23 janarit do të zhvillohet. “Ne kemi qenë vazhdimisht në kontakt me Federatën e Futbollit, me Prishtinën dhe organizatorin. Ne i kemi treguar FFK-së se nuk mund ta luajmë ndeshjen e Superkupës nëse nuk pranohen testet për koronavirus të cilat do të bëhen në Kosovë. Ne jemi testuar dhe, nëse ndonjë lojtar rezulton pozitiv atëherë do të mbetet në Kosovë”, tha Murseli.

Sipas Murselit, e vetmja mundësi që përballja të mos dështojë është që të pranohen testet e kryera në Kosovë. Nëse do të ketë sërish teste në Turqi për ndeshje të Superkupës, atëherë vështirë që do të mund të luhet ndeshja. Arsyeja është se ne nuk kemi përvojë të mirë me teste jashtë vendit dhe nëse del dikush pozitiv, atëherë duhet të izolohet, pastaj duhet izolim edhe për personat që kanë qenë në kontakt dhe kështu e rrezikojmë fazën përgatitore”.

 I të njëjtit mendim është edhe drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli, i cili ka konfirmuar se i kanë kryer testet për COVID-19 në Kosovë dhe vetëm portieri Alban Muçiqi ka rezultuar pozitiv. Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës e kishte miratuar kërkesën e Dritës dhe Prishtinës që Superkupa të zhvillohet në Turqi.

Kjo është hera e parë që FFK-ja vendosi që këtë garë ta zhvendosë jashtë Kosovës. Kjo u bë edhe për faktin se ndeshjet po zhvillohen pa praninë e shikuesve. Në Federatën e Futbollit të Kosovës thonë se vendimi ende mbetet në fuqi, derisa të merret një tjetër.