Jonathan Tah, mbrojtësi gjerman të cilit i skadon kontrata me Bayer Leverkusen në fund të sezonit, i ka komunikuar kampionëve të Gjermanisë dëshirën e tij për të mos rinovuar.
28-vjeçari, që synon që të largohet si lojtar i lirë në verë, ka përfunduar në shënjestrën e shumë klubeve të njohura europiane. Një lamtumirë e rëndë për mbrojtjen e skuadrës së drejtuar nga Xabi Alonso e cila kthehet në një mundësi transferimi për shumëkënd.
Interi kërkon të përfitojë nga kjo situatë duke tentuar një tjetër afrim me parametër zero, për të përforcuar prapavijën.
Por Tah nuk kërkohet vetëm nga Interi. Në Bundesligë, mbrojtësi pëlqehet nga Bayerni i Mynihut, i cili është gjithmonë në rreshtin e parë kur bëhet fjalë për transferimet e brendshme në kampionatin gjerman. Por në radhë është edhe Liverpuli, i cili me Van Dijk që i skadon kontrata në qershor, po kërkon përreth për të gjetur trashëgimtarin e holandezit.