Taulant Stërmasi është presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Atletikës, kjo për një vit mandat, ndërsa ka fituar në raundin e dytë zgjedhor ndaj Ferdinand Canit, 10-7. U kërkua balotazhi, sepse në raundin e parë ndër 17 votues, Cani mori gjashtë vota, Stërmasi 8 vota dhe Shytaj 3 vota. Përpara se t’i nënshtroheshin procesit zgjedhor, tre kandidatët për president shpalosën platformat e tyre, ndërsa Gjergji Ruli ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin pas largimit për shkak të manipulimit të rezultatit të Izmir Smajlajt më 8 maj 2021. President dhe trajner njëkohësisht, një gjë të cilën e ka vuajtur atletika shqiptare në rastin Ruli – Smajlaj. Por Stërmasi ka bërë zgjedhjen e tij, teksa deklaron menjëherë pas zgjedhjes si president.
"Ky pozicion është ndarë. Unë kam dhënë dorëheqjen që në ditën e parë kur kam menduar të jem president, apo kandidat për president i Federatës Shqiptare të Atletikës. Sigurisht jemi në diskutime me Luizën për të gjetur një trajner të kalibrit ndërkombëtar për momentin. Sigurisht që do të ketë mbështetjen time gjatë gjithë kohës, sikurse dhe Franko, apo Izmiri. Sepse për fatin tim të mirë kam qenë trajner deri përpara dy javësh. Kështu që nuk i ndahem dot shpirtit për të mbështetur sportistët", thotë Taulant Stërmasi.
Kërkohet masiviteti dhe invetarizimi i aseteve të atletikës shqiptare. Stërmasi, në morinë e projekteve, ka dhe një ide për atletikën në shkolla në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
"Brenda javës tjetër do të shkojë një projekt drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe kudo që kjo Ministri do të nisë projektin ne do të jemi pjesë. Madje që tani është duke u bërë gati grupi i seleksionuesve si trajner. Njëkohësisht do të kërkohet dhe inventarizimi pra se ku mund të bëhet atletikë nëpër qytete. Sepse vetëm kështu mund të jemi pjesë e projektit Atletika në Shkolla", nënvizon Stërmasi.
Në fund, zgjedhjet për president në Federatën Shqiptare të Atletikës janë komentuar dhe nga zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, i cili i ka cilësuar model për nga qetësia e veprimit.
"Po shohim që sporti shqiptar është duke ndryshuar dita-ditës. Nuk pamë më ato grushta, shkelma apo ndërhyrje, por pamë një Asamble të qetë dhe njerëz që votojnë e një votë e lirë. Edhe fitoi patjetër kandidati që ka prezantimin më të mirë, i cili u zgjodh nga një votë jo e lehtë realisht", ka përfunduar zëvendësministri Hoxha.