RTSH Sport Live

Taylor, arbitri i Europa League përjeton tmerr në aeroport

  • 02/06/2023
  • |
  • UEFA Europa League
Taylor, arbitri i Europa League përjeton tmerr në aeroport
Tifozët e Romës sulmojnë anglezin, karrige e gota plot me ujë në drejtim të tij

Polemikat e finales së Europa League mes Romës dhe Sevillas ende nuk kanë përfunduar. Arbitri anglez, Anthony Taylor, është sulmuar në aeroportin e Budapestit nga disa tifozë të Romës, të cilëve nuk u ka pëlqyer aspak mënyra se si e drejtoi ai finalen e ekipit të tyre ndaj Sevilla-s.

Teksa po prisnin fluturimin e kthimit për në Romë, disa tifozë njohën arbitrin dhe në pak caste shpërtheu kaosi. Disa persona nisën ofendimet ndaj dhe e rrethuan arbitrin,i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe vajza e tij, e cila po qante e tmerruar. Ishin momente tmerri, dikush hodhi edhe disa gota plot me ujë drejt gjyqtarit, ndërsa një person u ndalua teksa tentoi t'i afrohej.

Në fund të videos, e cila u bë virale në internet, mund të shihet edhe një karrige e hedhur në drejtim të arbitrit, por fatmirësisht policia shmangu një aksident të rëndë. Menjëherë ndërhyri policia për të qetësuar situatën, ndërsa anglezin e shoqëruan në një zonë private të aeroportit.Lidhur me këtë incident ka reaguar, organi përgjegjës për arbitrimin në futbollin profesionist anglez.

Institucioni përkatës i ka shprehur mbështetjen e plotë arbitrit dhe familjes së tij. Ndërkohë, UEFA është në pritje të raporteve nga zyrtarët dhe delegatët e ndeshjes përpara se të vendosë nëse do të marrë masa ndaj Mourinhos në lidhje me incidentin në parkingun poshtë stadiumit, me portugezin që ofendoi arbitrin anglez.