Është mbyllur java e 26-të e “Abissnet Superiore” dhe Tirana udhëheq bindshëm, titulli duket çështje matematike tashmë për të nisur festën. Largësia me ndjekësin më të afrët, Laçin është 13 pikë, por në kampin bardheblu janë më këmbë në tokë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar drejtori sportive, Tefik Osmani.
I pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, Osmani ka deklaruar: “Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, janë dhe 10 javë, që do të thotë se janë 30 pikë. Askush nuk flet për titullin në klub, do festojmë vetëm atëherë kur do na lejojë matematika".
“Derbi? E dinim se me ndërrimin e trajnerit do të bëhej më e vështirë. Të gjithë e kishim atë shqetësimin se si do të paraqiten. Por arritëm të fitojmë. Shënoi Devid, të gjithë festuam edhe për faktin se është një lojtar që punon shumë për skuadrën”.
“Seferi? Të gjithëve na vjen keq që nuk është përfshirë në listën e Kombëtares. Është shënuesi më i mirë i kampionatit. Megjithatë, edhe sulmuesit e tjera që ka thirrur janë shumë të mirë”.
“Në sezonin e kaluar dështuam. Por në këtë sezon kisha shumë besim, sepse stafi bëri një punë të mirë. Që kur ka mbërritur Shehi, nuk kemi patur ndonjë ndeshje ku jemi dominuar nga kundërshtari, kjo më jepte shumë besim”.