RTSH Sport Live

Teuta gjen fitoren, përmbys Tiranën

  • 8 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Teuta gjen fitoren, përmbys Tiranën
Durrsakët kanë fituar me rezultatin 2-1 përballë bardhebluve

Teuta ka arritur të gjejë fitoren pas dy muajsh duke mundur Tiranën me rezultatin 2-1 në javën e 26-të të “Abissnet Superiore”. Një fitore me përmbysje nga ana e skuadrës durrsake, e cila tashmë e sheh veten të parakalojë formacionin bardheblu në klasifikim.

Teuta i jep jo vetëm shpresë vetes për mbijetesë në “Abissnet Superiore”, por rigjen fitoren e munguar pas dy muajsh. Me të njëjtat shifra si më 15 dhjetor 2024, teksa kishte mundur Egnatian në Durrës, 2-1, Teuta triumfon ndaj Tiranës më 22 shkurt 2025. Nuk është ndonjë gjë e re fitorja e Teutës ndaj Tiranës, sepse edhe në fazën e parë, po në Durrës, “djemtë e detit” kishin triumfuar ndaj bardhebluve, 3-1. Dhe në total, kjo në tre faza, Teuta i ka marrë 7 pikë Tiranës.

Trajneri i ri, Bledar Hodo, duket se e ka motivuar ndryshe skuadrës, ndërsa në të 4’ i është anulluar goli Beshirajt për pozicion jashtë loje. Tirana tenton me topin e gjatë, por në të 8’, Prengaj nuk arrin të godasë. Pas dy minutash, Jazxhi dhe Simeu ndalen në pozicion jashtë loje. Dhe atë që nuk arrin skuadra vendëse e gjen Tirana, që në 13’ ka kaluar në avantazh me anë të Zharmuni.

Një gol që fillimisht është anulluar për pozicion jashtë loje, por më pas është konfirmuar nga sistemi VAR. Teuta nuk dekurajohet dhe pas katër minutash Simeu ka barazuar, ndërsa ka shfrytëzuar krosimin e Krujës. Ka dhe momente tensioni mes lojtarëve, që e zgjedh me qetësi Kreshnik Cjapi.

Pjesa e dytë ka nisur me pretendim për penallti të Teutës, kjo në të 46’, pas rrëzimit të Tomës, por Cjapi vazhdon lojën. Është Tirana që në dy momente, kjo në të 67’ dhe në të 71’, ka pretenduar për penallti e përsëri gjithçka e rregullt për kryesorin Cjapi.

Në të 86’ vjen mundësia e artë për Teutën, ndërsa Marku ka penguar Kotobellin në zonë dhe Kreshnik Cjapi nuk ka patur hezitime. Penallti për Teutën, që e kthen në gol Lloci dhe përfundimisht 2-1. 27 pikë për Teutën pas 26 javësh kampionat, kurse Tirana mbetet në kuotën e 26 pikëve.