Nga “Final four” skuadrën e Partizanit e ndajnë 11 ndeshje ndërsa koha nuk është në anën e drejtuesve, të cilët duhet të gjejnë një zëvendësues për Veselinoviç.
Në lojë janë ende 33 pikë edhe pse për Partizanin nuk do të jetë një problem pjesëmarrja në “Final four”. Tani drejtuesve u duhet që të gjejnë një trajner, i cili të ambientohet me skuadrën gjithmonë nëse nuk ka punuar kurrë në këtë klub, ose të caktojnë Arbër Abilaliajn, i cili për herë të dytë në këtë sezon do të rimarrë në dorë “frenat” e ekipit. Vetëm kështu ekipi kryeqytetas do të kishte shanse reale të përballej për rivale si Egnatia dhe Vllaznia.
Largimi i trajnerit serb pas humbjes më Bylisin ishte i paevitueshëm ashtu siç duket edhe rikthimin në stol i Abilaliajt, i cili e ka kryer edhe më parë këtë funskion në klubin ku kontribuon prej vitesh.
Në orët e fundit mësohet se drejtuesit e skuadrës nuk kanë përjashtuar edhe një tjetër rikthim të bujshëm. Flitet se edhe Xhovani Kolela mund të ishte një zgjidhje. Ky i fundit aktualisht është pa një ekip, pasi vetëm pak ditë më parë mbylli aventurën e tij me Ferronikelin në Kosovë. Fakti që italiani e njeh mirë ambientin e kuq bën që drejtuesit të mendojnë për rikthimin e tij.