RTSH Sport Live

Teuta bën detyrën me Erzenin

  • 08/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Teuta bën detyrën me Erzenin
Fiton 3-0 ndaj shijakasve dhe mbetet në luftën për “4-shen finale”

Një nga sfidat e javës së 35-të të Kategorisë Superiore ishte edhe derbi midis Erzenit dhe Teutës, që u luajt në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Erzeni e mësoi fatin e tij për sezonin e ardhshëm pikërisht javën e kaluar, ku barazoi me Kukësin dhe në këtë mënyrë ra edhe matematikisht nga Kategoria Superiore, dy javë nga mbyllja e sezonit të rregullt.

Në anën tjetër, Teuta erdhi pas një fitoreje të madhe ndaj kryesueses së renditjes, Egnatias, dyke synuar të 3 pikët edhe kundër Erzenit, për të hedhur sytë nga “4-shja Finale”. Dhe të besuarit e trajnerit Edi Martini e kanë nisur mjaft mirë, duke gjetur rrugën e rrjetës pas vetëm 5 minutash lojë, me anë të Dacit.

Pjesa e parë do të shohë në vijim skuadrën bregdetare ta administrojë këtë epërsi minimale dhe ta mbyllë në favorin e saj këtë fraksion loje. E njëjta tablo do të jetë edhe në pjesën e dytë, teksa Erzeni është i pafuqishëm për të reaguar, ndërsa, në krahun tjetër, Teuta do ta vulosë fitoren 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Lloci do të gjejë edhe golin e dytë të vendasve.

Erzeni mbeti me 10 lojtarë në minutën e 88-të, pasi Sadiki la fushën me karton të kuq, ndërsa menjëherë më pas, Teuta gjen edhe golin e 3-të me Gjinin, duke e fituar kështu 3-0 këtë sfidë dhe duke u ngjitur në kuotën e 47 pikëve, po aq sa ka edhe Tirana dhe Dinamo, dhe vetëm një pikë pak sesa Skënderbeu i vendit të 4-t.