RTSH Sport Live

Teuta, gati për aktivitetet e mundjes

  • 10/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Teuta, gati për aktivitetet e mundjes
Turneu “Muhamet Malo” dhe Kupat e Shqipërisë impenjojnë durrsakët e tapetit

Turneu ndërkombëtar i mundjes “Muhamet Malo”, por dhe aktivitetet e tjera kombëtare tani kanë impenjuar të gjithë. Skuadra e Teutës në mundje, e cila drejtohet nga Sinan Trimi, është në përgatitje e sipër, ndërsa trajneri i durrsakëve tregon gjendjen e mundësve të tij.

"Gjendja e çunave është e mirë. Jemi munduar me të gjitha brezat që të punojmë. Sepse vetëm kështu mund t'i japim një rezultat të shkëlqyer Teutës dhe Shqipërisë në mënyrë që të nxjerrim sa më tepër kampionë", thotë trajneri i durrsakëve.

Por sa afrohen të rinjtë durrsakë për të ushtruar sportin e mundjes, që në fakt në qytetin bregdetar është traditë?

"Në të gjithë historinë e mundjes ekipi i Teutës ka qenë ndër ekipet më të mira të Shqipërisë. Ka nxjerrë shumë Kampionë, ka shumë Mjeshtra Sporti. Dhe ne do të arrijmë në gjurmët e atyre të parëve që edhe ne të vazhdojmë këtë traditë. Pak a shumë ia kemi arritur. Kemi nxjerrë shumë kampionë dhe mundja të jetë traditë në Durrës", nënvizon Sinan Trimi.

Cilët janë ata mundës që mund të sjellin medalje ndërkombëtare për klubin shumësportësh Teuta?

"Pretendojmë tek Endri Avdyli pasi është një i ri me perspektivë. Është mundës shumë i mirë. Stërvitet tek ekipi i Tiranës në kohën që ai është në shkollë, ndërsa ndjek studimet e larta në Universitetin e Sporteve. Dhe në fundjavë vjen në Durrës për t'u stërvitur me ekipin. Dhe presim që në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare, sikurse është programi, të arrijë të marrë rezultatet që duhet", bën të ditur Sinan Trimi.   

Turneu ndërkombëtar “Muhamet Malo” mbahet më 13-14 maj, fillimisht në stilin greko-romak dhe më pas atë të lirë, ndërsa do të zhvillohet në sallën sportive “Farie Hoti” e do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.