RTSH Sport Live

Thiago Silva njofton largimin nga Chelsea

  • 29/04/2024
  • |
  • Angli
Thiago Silva njofton largimin nga Chelsea

Thiago Silva do të largohet nga Chelsea në fund të sezonit. 39-vjeçari iu bashkua skuadrës së Premier League si lojtar i lirë nga Paris Saint-Germain në gusht të vitit 2020 dhe ka bërë 151 paraqitje me “blutë” e Londrës , duke fituar Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube dhe Superkupën UEFA.

Në një mesazh emocionues për tifozët, Silva tha: "Chelsea do të thotë shumë për mua. Erdha këtu me qëllimin që të qëndroj vetëm për një vit dhe përfundova në katër vjet. Jo vetëm për mua, por edhe për familjen time.

Djemtë e mi luajnë për Chelsean kështu që është një burim krenarie e madhe të jesh pjesë e familjes Chelsea. Shpresoj që ata të mund të vazhdojnë karrierën e tyre këtu në këtë klub fitimtar ku shumë lojtarë dëshirojnë të jenë pjesë.

Unë mendoj se në gjithçka që kam bërë këtu gjatë katër viteve, kam dhënë gjithmonë gjithçka. Por, për fat të keq, çdo gjë ka një fillim, një mes dhe një fund. Kjo nuk do të thotë se ky është një fund përfundimtar. Shpresoj të largohem dhe nëse dera hapet që në një të ardhme të afërt të rikthehem, ndonëse në një rol tjetër këtu, por…është një dashuri e papërshkrueshme që mund të them vetëm faleminderit.

Natyrisht, kur fillova këtu, ishte gjatë pandemisë, kështu që nuk kishte tifozë në stadium. Por përmes rrjeteve sociale, u bë diçka shumë e veçantë për mua dhe më pas kur tifozët filluan të kthehen në stadium dhe jeta ishte duke u kthyer në normalitet, fillova të ndjeja shumë dashuri dhe respekt për historinë time dhe për fillimin tim këtu”, ka thënë mes të tjerash braziliani.