RTSH Sport Live

Tirana dhe Partizani, fitore identike

  • 21/02/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Tirana dhe Partizani, fitore identike
Luhen takimet e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë për meshkuj

Pas femrave, edhe veprimtaria e dytë e volejbollit të meshkujve në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën dy takimet e para të gjysmëfinaleve dhe, duke gjykuar nga këto takime të para, beteja në finale për trofeun e madh do të jetë një derbi i kryeqytetit. Kjo për arsye se Tirana dhe Partizani nuk gabuan të mërkurën, teksa dy rivalet e kryeqytetit mposhtën në takimet e para të gjysmëfinaleve përkatësisht Skënderbeun dhe Erzenin. Në ndeshjen e luajtur më herët të mërkurën të Korçë, Tirana e ka mbyllur gjithçka në 3 sete ndaj vendasve, aty ku vetëm seti i parë ka qenë i luftuar dhe ka patur nevojë për pikët shtesë, por është fituar nga bardheblutë 26-24.

Dy setet e tjera kanë qenë më të mbizotëruara nga miqtë, pas skuadra e trajnerit Ben Sako, e fiton të dytin, 25-16, dhe atë të 3-tin, 25-17, dhe gjithë ndeshjen 3-0. Ndërkaq, më vonë, edhe në takimin e luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, dhe pamje të së cilës na sjell kjo kronikë, janë dashur të luhen vetëm 3 sete për të përcaktuar fituesen midis Partizanit dhe Erzenit.

Është skuadra kryeqytetase që e fiton setin e parë me shifrat 25-22 në 26 minuta, ashtu sikundër do të bëjë edhe në të dytin, të cilin e ka fituar po në 26 minuta, me shifrat 25-21. Skuadra shijakase, e drejtuar nga trajneri Ilo Koja është e pafuqishme për të reaguar dhe Partizani i veteranit Ylli Tomorri e fiton edhe setin e 3-të dhe të fundit, 25-19 dhe gjithë ndeshjen 3-0 me sete e duke hedhur kështu një hap drejt vendit në finalen e madhe për trofeun e Kupës.

 Ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve luhen pas një jave dhe Tirana pret në kryeqytet Skënderbeun, ndërsa Partizani është mysafir në Shijak, për t’u ndeshur me Erzenin.

 SKENDERBEU - TIRANA 0-3

24/26  16/25  17/25

Partizani - Erzeni

25-22     26'

25-21     26'

25-19     25’