RTSH Sport Live

Tirana e nis me fitore në Ligën Unike

  • 23/10/2021
  • |
  • Basketboll
Tirana e nis me fitore në Ligën Unike
Bardheblutë mundin Rahovecin, të dielën në RTSH Sport, Vllaznia – Golden Eagle Ylli

Tirana Neptun e ka nisur me fitore Ligën Unike në basketboll për meshkuj, teksa pasditen e së shtunës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet ka mundur Rahovecin, 79-74. Një kosh i fundit i Hysenagollit i ka dhënë këtë sukses të parë bardhebluve të Erkand Karajit, në një ndeshje të luftuar, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Tirana falë lojës së mirë të Voglit, Hysenagollit, Hamatit, Hysës dhe Kokos arrin të shkëputet që në periodën e parë, të cilën e ka fituar 22-11.

Një diferencë e konsiderueshme, e cila është ruajtur dhe në fund të periodës së dytë, pavarësisht se atë e ka fituar Rahoveci, 18-20. 40-31 për Tiranën në pushimin e lojës. Por kosovarët pas kthimit nga dhomat e zhveshjes janë me një tjetër ritëm. 13-25 për Rahovecin perioda e tretë dhe miqtë kryesojnë me tre pikë diferencë, 53-56. Ka gabime nga të dy skuadrat, gjë që më së shumti është shfrytëzuar nga skuadra bardheblu. 26-18 perioda e katërt dhe përfundimisht 79-74. E diela do të jetë për një tjetër ndeshje të Ligës Unike në RTSH Sport.

Bëhet fjalë për ballafaqimin Vllaznia – Golden Eagle Ylli, që zhvillohet në ora 19:00 në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Ndërkohë në kuadrin e javës së parë të Ligës Unike në basketboll për meshkuj në ora 17:00 Prizreni 16 do të presë Kamza Basket, kurse Peja, Teutën. Gjithçka ka nisur me këmbë të mbarë për klubet shqiptare, ndërsa shansi është suksesi i Tiranës ndaj Rahovecit.