RTSH Sport Live

Tirana mban ritmin e kryesuesve

  • 04/12/2021
  • |
  • Basketboll
Tirana mban ritmin e kryesuesve
Bardheblutë fitojnë në Durrës në kohën shtesë me Teutën, 79-72

Tirana ka arritur fitoren e tretë në Ligën Unike, Shqipëri-Kosovë, në basketboll për meshkuj, teksa ka triumfuar ndaj Teutës në kohën shtesë 72-79. Për durrsakët, të cilët deri para javës së pestë ishin kryesues, kjo ishte disfata e dytë. Gjithsesi ka qenë një ndeshje interesante, e cila në fakt ka ardhur drejtëpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Teuta e Melzin Lazimit e ka nisur mirë, ndërsa është shkëputur 10-4.

Por Tirana gjen forca dhe përmbys në 10-12 për ta mbyllur periodën e parë në një avantazh prej 11 pikësh diferencë, 13-24. Avantazh që nuk është administruar mirë nga bardheblutë e Erkand Karajit, ndërsa për meritë të Teutës gjithçka ekuilibrohet shpejt. 22-10 perioda e dytë për “djemtë e detit”, të cilët në pushim janë në avantazh të një pike diferencë, 35-34. Edhe perioda e tretë është për Teutën, 15-11 dhe në total 50-45. Mirëpo Tirana nuk dorëzohet.

Është në avantazh, veçse trepikëshi i Ndrecës e dërgon ndeshjen në kohën shtesë. 15-20 për Tiranën perioda e katërt dhe në total 65-65. Në kohën shtesë dallohet amerikani Klark, kurse Tirana krijon diferencën e pikëve, që do t’i jepte më pas suksesin e tretë. 7-14 koha shtesë për bardheblutë, që fitojnë 72-79.

Java e pestë e Ligës Unike, Shqipëri – Kosovë, në basketboll për meshkuj do të jetë përsëri në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar të dielën, teksa në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër, në ora 19:00 Vllaznia do të presë Rahovecin.