RTSH Sport Live

Tirana, ndaj Partizanit për të “shkelmuar” krizën

  • 02/12/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana, ndaj Partizanit për të “shkelmuar” krizën
Mungesat peshojnë te bardheblutë, Ahmataj e ndjen presionin e rezultateve

Kryeqyteti mban frymën. Ditën e dielë në orën 19:00, do të luhet derbi mes Tiranës dhe Partizanit e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore. Bardheblutë vijnë në një moment të errët pas humbjes me Erzenin e me shumë mungesa, Florent Hasani, është një nga lojtarët që ka frikësuar ambjentin bardheblu. Në konferencën për shtyp, trajneri Julian Ahmataj ka një farë shprese se do ta ketë sulmuesin në dispozicion

“Hasani është një mungesë jo e konfirmuar, sepse kemi një mundësi që mund të jetë në lojë. Por Patrik e ka humbur ndeshjen, sepse ka pësuar një dëmtim dhe ai do të ekzaminohet në ditët në vijim”.

Arritja në “Final-Four” është objektivi minimal i Tiranës, në fillim të sezonit skuadra u ndërtua për të dominuar çdo kundërshtar, por që tashmë po has probleme, Julian Ahmataj e ndjen presionin e rezultateve, pasi sipas tij është emri i klubit që të imponon të kërkosh më të mirën.

“Presion ka gjithmonë. Të gjithë që kanë luajtur me Tiranën dhe që kanë drejtuar Tiranën e dinë këtë gjë. Klubi kërkon gjithmonë rezultate maksimale dhe kur kërkon rezultate maksimale presioni është prezent, je apo s’je në vendin e pare”.

Një derbi për tu fituar, pa justifikime, sepse vlen për renditjen dhe moralin dhe këtë Julian Ahmataj e di shumë mire.

“Nuk diskutohet që do të japim maksimumin për të arritur këto tri pikë, që i japin një bonus psikologjik skuadrës dhe një shtysë për të ecur përpara”, ka përfunduar Ahmataj.