Tirana dhe Teuta kanë dhuruar spektakël dhe emocione në “Elbasan Arena”, aty ku janë luajtur 120 minuta lojë dhe është dashur goditja e penalltive për të përcaktuar emrin e skuadrës që do të kualifikoj në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Ruleta e penalltive i ka buzëqeshur skuadrës bardheblu që është treguar më e saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke fituar me rezultatin 6-5.
Ndeshja ka qenë e bukur dhe plot emocione. Teuta kalon në avantazh në pjesën e parë, falë një penalltie të kthyer në gol nga Peposhi. Tirana mundohet të reagojë, por goli i barazimit vjen vetëm në minutën e 97-të. Latifi përfiton nga një pasiguri e mbrojtjes durrsake dhe barazon rezultatin 1-1.
Sfida e parë në Durrës kishte përfunduar në barazim 0-0 dhe për të përcaktuar skuadrën gjysmëfinaliste, duhet të luhet koha shtesë. Nuk ndryshon rezultati në 30 minutat e kohësh shtesë dhe pas ruletës së penalltive janë bardheblutë ata që festojnë dhe kualifikohen për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.