RTSH Sport Live

Tirana, simbol i Kupës së Shqipërisë

  • 07/03/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Tirana, simbol i Kupës së Shqipërisë
Bardheblutë dominojnë si për femra, ashtu dhe për meshkuj trofeun e rrjetës

Tirana është simboli i Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra e për meshkuj, teksa e diela ka qenë dita e bardhebluve në këtë aktivitet të rëndësishëm të rrjetës shqiptare. Për femra Tirana u rikthye pas nëntë vitesh tek trofeu i Kupës, teksa mori të njëmbëdhjetin, ndërsa për meshkuj pas 26 vitesh dhe numëron tetë Kupa Shqipërie.

Për femrat gjërat kanë shkuar më lehtë se sa është menduar, teksa Tirana e Amarilda Prengës ka fituar 3-0 (25-15, 28-26, 25-20). Madje vajzat bardheblu kanë dominuar dhe formacionin më të mirë të Kupës së Shqipërisë, që përbëhej nga Vandemir, Molla, Pira, Osterreish, Bego, Kurierova dhe Shehi. Për më tepër Vandemir ishte dhe lojtarja më e mirë e Kupës së Shqipërisë.

Mirëpo duket se kjo humbje e finales ka rënduar në psikologjinë e korçareve, të cilat e prisnin këtë trofe ta merrnin pas 44 vitesh mungesë. Tatjana Marash, trajneria e Skënderbeut, ka opsionet e veta për lojën e dobët dhe të papritur të skuadrës.

Tjetër melodi tek meshkuj. Tirana e mund për herë të tretë Erzenin. Pas Kupës së Pavarësisë dhe Ligë “Gjergj Kastrioti” i rrëmben dhe Kupën e Shqipërisë, teksa ka fituar në finale 3-1 (25-22, 21-25, 25-14, 25-16). Bardheblutë e Arben Sakos kanë mbizotëruar dhe formacionin më të mirë të Kupës së Shqipërisë, që ishte Lapera, Azarov, Kristi Martiro, Sabliqi, Asmend Kula, Çali, Ledion Martiro, ky i fundit dhe lojtari më i mirë i aktivitetit.

Të dyja finalet e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra e për meshkuj kanë ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.