RTSH Sport Live

Tirana-Vllaznia, një pikë e padëshiruar

  • 08/05/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana-Vllaznia, një pikë e padëshiruar
Mbyllet 0-0 në kryeqytet, dy skuadrat zbresin në renditje

Klasikja e futbollit shqiptar, dueli midis Tiranës dhe Vllaznisë, që u luajt të mërkurën pasdite në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet ka qenë padyshim sfida më e spikatur e javës së 35-të dhe të parafundit të sezonit të rregullt të Kategorisë Superiore.

Në fakt, sfida që mund të zhvendoste shumëçka sa i përket fatit të skuadrave, ka parë një lojë të barazpeshuar por të varfër në gjysmën e pjesës së parë dhe vetëm në minutën e 25-të dhe të 26-të, Vllaznia do të rrezikojë me Pusin dhe Ajdareviçin, ndërsa Tirana do të kundërpërgjigjet menjëherë më pas, por gjithashtu pa rezultat.

Me Hoxhallarin që provon nga jashtë zone në minutën e 37-të, por edhe me shkodranët që nuk u besojnë syve, teksa Smajli shpërdoron me portën e boshatisur 4 minuta më pas do të mbyllet pjesa e parë.

Ajo e dyta sheh shkodranët të rrezikojnë në minutën e 51-të dhe të 53-të, me Ajdareviçin dhe Salën, por loja më pas do të flasë për bardheblutë, që shpërdorojnë në 59-tën me Jonuzin, që humbet një mundësi të volitshme për të shënuar, 61-tën me Patrikun, që humbet një tjetër shans shumë të mirë, por sidomos në të 73-tën, kur i sapofuturi në loje, Rimal Haxhiu, godet me kokë në vetëm një metër larg nga porta, me topin që rrok shtyllën horizontale dhe kthehet në lojë.

Me të dyja skuadrat që provojnë, po pa e patur saktësinë e duhur, por me rrjeta të paprekura do të mbyllen 90 minutat e kohës së rregullt por edhe ato 4 shtesë, që bëhen 5 dheTirana dhe Vllaznia ndajnë nga një pikë, që nuk para u bën shumë punë, pasi kryeqytetasit mbeten hëpërhë jashtë 4-shes së parë, ndërsa shkodranët zbresin në vendin e 3-të të renditjes.