RTSH Sport Live

Trajneri Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet kundër Rumanisë dhe Lituanisë

  • 09/11/2024
  • |
  • Kosova
Trajneri Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet kundër Rumanisë dhe Lituanisë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda e ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, që zhvillohen gjatë këtij muaji.

Pas mungesës në grumbullimin e kaluar për shkak të lëndimit ekipit i bashkohet sulmuesi i Mallorca-s, Vedat Muriqi, derisa pas një kohe të gjatë rikthehet edhe Bersant Celina. Ndërkohë, prurja e re e këtij grumbullimi është Baton Zabërgja, futbollist i Dinamo Cityt.

Ndeshjen e parë Dardanët e zhvillojnë si mysafirë më 15 nëntor në Bukuresht kundër Rumanisë, në orën 20:45, derisa tri ditë më pas luajnë kundër Lituanisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Përzgjedhësi Foda, të hënën, do të paraqitet në konferencë për media në orën 12:00, në hotel ‘Emerald’, derisa stërvitja e parë do të zhvillohet në orën 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Dardanët aktualisht janë në pozitën e dytë në Grupin 2 të Ligës C, me 9 pikë, derisa Rumania kryeson me 12 pikë.