RTSH Sport Live

Trajneri i ri i Kosovës, në Bosnje dhe Serbi e bëjnë të sigurt

  • 23/11/2023
  • |
  • Kosova
Trajneri i ri i Kosovës, në Bosnje dhe Serbi e bëjnë të sigurt
Blaž Slišković, ish-trajneri i Tiranës është pranë firmës, De Biasi mbetet një ide

Federata e Futbollit të Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri pas përfundimit të kontratës së Primozh Glihas. Tekniku slloven u emërua në krye të pankinës më 4 korrik, teksa drejtoi në 6 ndeshje përfaqësen Dardane.

Dy fitoret kundër Andorrës dhe Izraelit, dy barazime ndaj Zvicrës, dhe dy humbjet ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë, ishin statistikat e Primozh Glihas, të cilët nuk bindën drejtuesit për të vazhduar më tej aventurën.

Tani në Federatë po punohet për ardhjen e një trajneri që ti ketë idetë e qarta dhe ti japë skuadrës një identitet ndryshe. Gazetat në Bosnje dhe Serbi kanë nxjerrë emrin e parë.

Kurir apo Mondo kanë shkruar se Blaž Slišković është pranë firmës me përfaqësusen e Kosovës. Tekniku boshnjak është një emër i njohur në vendin e tij. Në sezonet 2002-2006, ka drejtuar Bosnjen në 36 ndeshje, ndërsa në rang klubesh ka patur një eksperiencë te Hajduku i Splitit në Kroaci, apo në Shqipëri, pikërisht në vitin 2008  Blaž Slišković firmosi për Tiranën ku qëndroi vetëm 6 muaj dhe u shkarkua për rezultate të dobëta.

Në gazetat kosovare është shkruar gjithashtu për Gianni De Biasin, i cili për momentin mbetet një ide, ndërsa Tahir Batatina, trajneri i Llapit në Kosovë, me anë të një postimi në Facebook është vetëofruar për të marrë postin e komisarit teknik të Kosovës.