RTSH Sport Live

Tri ndeshje për dy grupe, në fushat e Euro 2020

  • 11/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Tri ndeshje për dy grupe, në fushat e Euro 2020
Zvicra e shqiptarëve sfidon Uellsin, por vëmendja tek Belgjika favorite

Kampionati Europian futet menjëherë në intensitet dhe tri ndeshje do të kompletojnë raundin e parë të dy grupeve të para. Në fushë Zvicra e shumë shqiptarëve, Danimarka, por edhe Belgjika, një prej favoritëve më të pritur të kompeticionit. Diferenca mes Zvicrës e Uellsit, në debutimin e tyre në turne në orën 15:00, është në kohëzgjatjen e projektit të tyre teknik. Vladimir Petkovic e ka nisur punën pas Botërorit 2014 nën shenjën e vazhdimësisë: jo rastësisht shtatë nga lojtarët ishin pjesë e kombëtares në Brazil.

Pa Behramin e Dzemaili, skuadra ka më pak personalitet, por Xhaka e Shaqiri janë aty gati për të udhëhequr. Robert Page, ndërkohë, drejton Uellsin nga nëntori, pas situatës së krijuar me Ryan Giggs. Ish-tekniku i Under 21 duhet të përballet me krahasimin e një gjysëmfinale të turneut 2016. Danimarka do të masë forcat me Finlandën në orën 18.00 në ndeshjen hapëse të grupit B.

Danezët, që dinë të impresionojnë në Europian pikërisht atëherë kur nuk mendohet, janë favoritë përballë skuadrës së Kanervës. Natyrisht Hjulmand mund ti besojë lojtarëve të kolauduar si portieri Schmeichel e dyshja e qendrorëve Kjaer Christensen, që sapo ka fituar i pari prezencën në Champions e i dyti trofeun. Mesfusha është në këmbët e Eriksen me suportin e Poulsen e Delaney, ndërsa pritshmëritë janë tek sulmuesi i Barcelonës, Braithwait.

Në mbrëmje, ndeshje që do të transmetohet direkt në RTSH 1, skena është e gjitha për favoritët e Belgjikës. Djajtë e Kuq do të sfidojnë Rusinë në shtëpinë e tyre në Shën Petersburg. Nuk është e thjeshtë me skuadrën e Cherchesov, por me një Lukaku në një formë madhështore Roberto Martinez e di se mundet.

Problemi është se De Bruyne nuk është i gatshëm për debutimin, pavarësisht se tekniku nuk heq dorë prej tij. Rusët kanë ndryshuar shumë nga Botërori i shtëpisë, kur entuziazmuan me një skuadër ushtarësh rrethuar rreth komandantit të tyre, por Miranchuk, Golovin, Semenov e Dzuba e kanë një ide se cfarë kërkohet prej tyre. Mbetet vetëm për tu parë nëse do të ketë surpriza, si një paralajmërim për atë që do të shohim në vazhdim në Euro 2020…