RTSH Sport Live

Turneu europian i U18 në Tiranë

  • 06/08/2021
  • |
  • Basketboll
Turneu europian i U18 në Tiranë
Të shtunën dhe të dielën, dy gjysmëfinalet dhe finalja, gjithçka drejtpërdrejt në RTSH Sport

Në Tiranë po zhvillohet prej 3 ditësh turneu ndërkombëtar i basketbollit për grupmoshën e Nën-18-vjeçarëve “FIBA European Challengers”, i cili mbyllet të dielën në mbrëmje. Në kryeqytetin shqiptar po luhen ndeshjet e grupit F dhe grupit G, ndërsa përballjet më të spikatura janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ndërsa të gjitha ndeshjet janë transmetuar edhe në faqen e Federatës Shqiptare të Basketbollit në platformën “YouTube”.

Në grupin G, Shqipëria është mundur në ndeshjen e parë nga Kosova, por ka vijuar të fitojë në atë të dytën, bindshëm ndaj Moldavisë, duke siguruar vendin e dytë në renditje dhe, bashkë me të edhe biletën për në gjysmëfinale. Aty ku do të përballet Luksemburgun, që, nga ana e tij, u rendit i pari në grupin F, duke i fituar të 3 përballjet e më konkretisht, ndaj Maltës, ndaj Gjibraltarit dhe ndaj Andorrës.

Kjo gjysmëfinale do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 19:00, në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë të Parkut Olimpik të Tiranës dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport. Ashtu sikundër do të sillet më herët drejtpërdrejt edhe gjysmëfinalja tjetër, midis Kosovës dhe Andorrës.

Kjo përballje, që nis në ora 16:00, sheh si favorite Kosovën, ndërsa të shtunën dhe të dielën, 3 skuadrat e tjera, Moldavia, Gjibraltarin dhe Malta, do të ndeshen me njëra-tjetrën me sistem grupi, për të përcaktuar renditjen nga vendi i 5-të në të 7-tin në këtë turne të koshit kontinental të moshave.