RTSH Sport Live

Turneu UEFA Development U‑16, Shqipëria mund Azerbajxhanin

  • 04/05/2023
  • |
  • Kombëtarja
Turneu UEFA Development U‑16, Shqipëria mund Azerbajxhanin
Kombëtarja kuqezi e Nën-16-vjeçarëve të Bulkut luajti të enjten përballjen e dytë

Janë luajtur të enjten dy ndeshjet e dyta të turneut ndërkombëtar “UEFA Development” për Nën-16-vjeçarët, që po zhvillohet në Shqipëri dhe po organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë turne përveç Shqipërisë së kësaj grupmoshe marrin pjesë edhe Moldavia, Azerbajxhani dhe Ishujve Faroe, teksa risia e madhe e këtij edicioni është padyshim zhvillimi i sfidave në Fushat e kompleksit të “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet.

Kombëtarja kuqezi, e cila debutoi me një fitore 3-0 në sfidën e parë ndaj ndaj Moldavisë, e ka nisur mirë edhe përballjen e dytë, të luajtur ndaj Azerbajxhanit dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin e RTSH Sport. Dhe 8 minuta para fundit të pjesës së parë, Tedi Malaj do t’i kalojë kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku në epërsi.

Me këtë epërsi minimale të kuqezinjve të vegjël do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta ka parë azerët që të luftojnë për të gjetur golin e barazimit. Por Shqipëria e ka mbrojtur fitoren minimale dhe ka marrë edhe kreun e renditjes, duke siguruar edhe vendin e parë në këtë turne. Ndeshja tjetër e luajtur sot midis Ishujt Faroe dhe Moldavisë është fituar nga kjo e fundit me shifrat 3-1. Takimi i 3-të dhe i fundit për kuqezinjtë është ai i 6 majit pasdite kundër Ishujve Faroe.