RTSH Sport Live

U mund nga Argjentina, Brazili do të mungojë në Paris 2024

  • 12/02/2024
  • |
  • Futboll Bota
U mund nga Argjentina, Brazili do të mungojë në Paris 2024

Lamtumirë Olimpiada e Parisit. Pasi fitoi medaljen e artë në turneun e futbollit në Lojërat Olimpike që zhvilloi në shtëpi në Rio 2016 dhe në Tokio 2020, kombëtarja e Brazilit nuk do të marrë pjesë në ato që do të zhvillohen këtë verë në Francë.

 “Seleçao” e trajnerit Ramon Menezes dhe e 'yjeve' të rinj, Endrick dhe John Kennedy, humbi 1-0 në ndeshjen kundër Argjentinës, e cila vlente një vend në Lojërat Olimpike, Paris 2024. Golin vendimtar e shënoi Gondou, qendërsulmues i skuadrës “albiceleste” në minutën e 32-të.

Argjentina është skuadra do të shkojë në Paris 2024, drejtuesit e së cilës nuk e fshehin dëshirën për të bindur Leo Messin që të marrë vendin e një prej lojtarëve mbi moshën (kujtojmë që lojtarët që përfaqësojnë skuadrën olimpike në futboll duhet të jeënë nën moshën 23 vjeç dhe vetëm 3 lojtarë mbi 23 vjeç mund të grumbullohen për këtë event) në përzgjedhjen përfundimtare të trajnerit Javier Mascherano, ish-bashkëlojtar i “pleshtit” në Barcelonë.

Messi ka fituar tashmë medaljen e artë në Lojërat Olimpike në 2008 në Pekin dhe do të joshej nga ideja e fitimit të një tjetër medaljeje si dhe nga një sfide e re me Francën, që mund të grumbullojë Kylian Mbappe, për të risjellë edhe njëherë sfidën e madhe të finales së Kupës së Botës, Katar 2022.