RTSH Sport Live

Vazhdojnë polemikat për golin “fantazmë”, Barcelona kërkon riluajtjen e ndeshjes

  • 22/04/2024
  • |
  • Spanjë
Vazhdojnë polemikat për golin “fantazmë”, Barcelona kërkon riluajtjen e ndeshjes

Në Barcelonë vazhdojnë polemikat për episodin e golit fantazmë të ndodhur në “Klasiken” ndaj Realit të Madridit që u zhvillua të dielën në mbrëmje në “Bernabeu” dhe u fitua 3-2 me përmbysje nga madrilenët.

Blaugranët, përmes fjalëve të presidentit Laporta, kërkojnë qartësi, edhe nëse imazhet nuk e bëjnë këtë: topi i goditur nga Yamal dhe i shpëtuar nga Lunin lë dyshime të mëdha. Ndeshja u ndërpre për disa minuta dhe VAR-i, pas një vlerësimi të kujdesshëm, rifilloi lojën pa e vërtetuar golin e pretenduar.

“Si klub duam të jemi të sigurt për atë që ka ndodhur dhe ju informoj se nga Barcelona do t’i kërkojmë Komitetit Teknik të Gjyqtarëve dhe Federatës Spanjolle të Futbollit të na japin të gjitha imazhet dhe audiot e krijuara nga aksioni”, tha vetë Laporta.

Në njoftimin e gjatë të publikuar nga Barcelona, përmendet edhe përsëritja e mundshme e ndeshjes: “Nëse, pasi të jetë analizuar dokumentacioni, kuptojmë se ka pasur një gabim vlerësimi siç mendojmë ne, do të marrim të gjitha veprimet e përshtatshme për të ndryshuar situatën pa përjashtuar veprimet e mundshme ligjore. Nëse goli konfirmohet si i ligjshëm do të shkojmë më tej dhe do të kërkojmë që ndeshja të riluhet, ashtu siç ndodhi në një ndeshje evropiane për shkak të një gabimi të VAR-it. "