RTSH Sport Live

Vendosin gafat e portierëve…

  • 17/09/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Vendosin gafat e portierëve…
Erzeni mposhti Dinamon 2-1 në takimin e parë të javës së 4-t

Takimi që ka ngritur siparin e javës së 4-t të Kategorisë Superiore ka qenë ai që u luajt në Stadiumin “Egnatia”, aty ku Erzeni, si skuadër “vendëse” ka pritur Dinamo Sitin. Pjesa e parë e takimit ka nisur më mirë për skuadrën vendase, që në këtë rast ishte Erzeni, dhe është më kërkuese në drejtim të portës kundërshtare. Dhe kjo këmbëngulje e shijakasve do të shpërblehet në minutën e 26-të, kur, pasi pati provuar pa sukses disa minuta më herët, Maliqi korrigjon shënjestrën dhe gjen këndin e poshtëm të majtë të portës së Dinamos dhe përshëndet rrjetën.

Goli e ka tulatur Dinamon, e cila nuk ka fuqinë e mjaftueshme për ta rrezikuar portën kundërshtare, ndërsa Erzeni administron lojën dhe 45 minutat e para mbyllen me epërsinë minimale të shijakasve. Ato të dytat do të nisin më mirë për Dinamon dhe brenda 10 minutash, në të 55-ën, portieri i Erzenit, Hasanbelli, nuk e kontrollon siç duhet topin dhe Zabërgja ishte në kohën e duhur, në vendin e duhur për ta shtyrë atë në rrjetë. Loja në vijim do të vijojë të flasë për skuadrën e trajnerit Luixhi Di Biaxho, e cila do të kërkojë me ngulm golin e përmbysjes, madje i është afruar me anë të kapitenit Prodani, goditja me kokë e të cilit ka rrokur shtyllën.

Dhe, përkundër rrjedhës së lojës, është portieri i Dinamos, Rexhepi, që gabon në kontrollin e topit në minutën e 77-të, duke shkaktuar një 11-metërsh dhe Kahrimanoviç nuk gabon nga pika e bardhë, duke rikthyer Erzenin në epërsi. Një epërsi të cilën Erzeni e mbron deri në fund, teksa e mund Dinamo Sitin 2-1 dhe gjen fitoren e parë këtë sezon.