RTSH Sport Live

Verstapen mund edhe stuhinë, Ferrari e ndjek me Lëklerk

  • 03/11/2023
  • |
  • Formula 1
Verstapen mund edhe stuhinë, Ferrari e ndjek me Lëklerk
Holandezi, më i shpejti, të shtunën (19:30), gara e Sprintit, të dielën (18:00), gara e madhe

Stacioni i 21-të i këtij Botërori të Formulës 1 është Çmimi i Madh i Brazilit, që ka zhvilluar të premten provat zyrtare të tij dhe Maks Verstapeni do të niset nga vendi i parë në garën e madhe të së dielës, pasi ka qenë më i shpejti në këto prova zyrtare. Në fakt, ndonëse kanë nisur me mot të thatë, por të vrenjtur, këto prova janë mbyllur afro 5 minuta më herët, për shkak të erës së madhe dhe prishjes së kohës.

Në seancën e parë të këtyre provave zyrtare, u eliminuan dy makinat “Alfa Romeo” të Zhu Guanjusë dhe Valteri Botasit, dy makinat “AlfaTauri”, të Daniel Riçiardos dhe Juki Tsunodës, dhe “Uilliams”-i i Logan Sarxhentit. Në seancën e dytë u eliminua edhe “Uilliams”-i i mbetur i Aleksandër Albonit, por dy makinat “Alpine” të Sebastian Okon dhe Pjer Gaslisë dhe dy makinat “Haas” të Kevin Magnusenit dhe Niko Hulkenbergut.

Dhe përpara se stuhia të godiste pistën e Interlagosit, Verstapeni regjistroi kohën 1 minutë, 10 sekonda e 727 të mijëtat, duke mos u arritur dot nga të tjerët, teksa më pas seanca e 3-të e provave zyrtare u ndal nga flamuri i kuq, për t’u ndërprerë përfundimisht për shkak të motit të keq.

Sharl Lëklerku do të niset nga vendi i dytë, ndërsa nga radha e dytë do të nisen dy makinat “Aston Martin”, të Lens Strollit dhe Fernando Alonsos, nga radha e 3-të dy “Mercedes”-ët e Ljuis Hemiltonit dhe Xhorxh Rasëllit, nga radha e 4-t “MekLaren”-i i Lendo Norrisit dhe “Ferrari” i Karlos Sainzit, ndërsa nga radha e 5-të “Red Bull”-i i Serxhio Perezit dhe “MekLaren”-i i Oskar Piastrit. Këto prova zyrtare u sollën drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë të shtunës, duke nisur nga ora 19:30, edhe garën Sprint, por edhe të dielën garën e madh, duke nisur nga ora 18:00.

PROVAT ZYRTARE

Reshti i parë

  1. Max Verstappen (Red Bull)
  2. Charles Leclerc (Ferrari)

Rreshti i dytë

  1. Lance Stroll (Aston Martin)
  2. Fernando Alonso (Aston Martin)

Rreshti i tretë

  1. Lewis Hamilton (Mercedes)
  2. George Russell (Mercedes)

Rreshti i katërt

  1. Lando Norris (McLaren)
  2. Carlos Sainz (Ferrari)

Rreshti i pestë

  1. Sergio Perez (Red Bull)
  2. Oscar Piastri (McLaren)

Rreshti i gjashtë

  1. Nico Hulkenberg (Haas)
  2. Esteban Ocon (Alpine)

Rreshti i shtatë

  1. Pierre Gasly (Alpine)
  2. Kevin Magnussen (Haas)

Rreshti i tetë

  1. Alexander Albon (Williams)
  2. Yuki Tsunoda (AlphaTauri)

Rreshti i nëntë

  1. Daniel Ricciardo (AlphaTauri)
  2. Valtteri Bottas (Alfa Romeo)

Rreshti i dhjetë

  1. Logan Sargeant (Williams)
  2. Zhou Guanyu (Alfa Romeo)