RTSH Sport Live

Veseli i beson grupit: Edhe herë të tjera kemi pasu mungesa

  • 21/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Veseli i beson grupit: Edhe herë të tjera kemi pasu mungesa
Mbrojtësi i Kombëtares, Frederik Veseli në konferencë për shtyp

Mbrojtësi i Kombëtares, Frederik Veseli, pavarësisht mungesave të rëndësishme, sidomos në repartin e mbrojtjes, i beson grupit në prag të sfidës me Izraelin.

“Mungesat e Kumbullës dhe Gjimshitit? Janë mungesa shumë të rëndësishme, por edhe herë të tjera kemi pasur mungesa. Pavarësisht nga ky aspekt, ne nuk i japim shumë rëndësi lojtarëve individual, por i japim rëndësi grupit. Jemi të përqëndruar të bëjmë një ndeshje të mirë në nivelin difensiv, na vlen vetëm tre pikëshi dhe fitorja.

“Në qendër apo në krah? Ndihem më mirë në qendër, kam disa vite që luaj në këtë pozicion. E kam plotësuar mungesën edhe në krah kur ka pasur nevojë. Kam cilësi edhe kapacitetin fizik për të plotësuar këto pozicione, por roli im është qendërmbrojtës dhe ndihem mirë në qendër”.

“Benevento? – Më kërkuan me ngulm. Duan të rikthehen në Serinë A. I kam fituar dy kampionate në Serinë B me Empoli dhe Salernitana. Nuk isha në gjendje të mirë në Salerno, për shkak të sezonit të kaluar ku kam pasur disa vështirësi me lëndime dhe diskutime me trajnerin. M’u dha mundësia të kaloja te Benevento dhe vendosa të kaloj”.

“Edhe në shtëpi, ndaj Izraelit kemi bërë një ndeshje të mirë në nivelin difensiv. Na ka ndikuar shumë edhe gabimet individuale që mund të ndodhin. Me analizat që kemi bërë, kemi parë që gabimet individuale ishin më të rëndësishme. Izraeli nuk bëri ndonjë gjë spektakolare për të fituar. Humbja ka ardhur nga ne. Besoj se duhet që çdo lojtar të marrë përgjegjësi nga performanca individuale dhe të japë maksimumin në grup, për të bërë një ndeshje të mirë në nivelin difensiv. Na mjafton të bëjmë një gol më shumë sesa të pasojmë dhe për këtë punë, trajneri është këtu dhe e vendos ai”.

“Të rinjtë që vijnë në Kombëtare kanë shumë ambicie, shihet se secili lojtar rritet në klube më të mëdha se më herët. Kemi një skuadër me shumë cilësi dhe një ekuilibër me lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj. Besoj që Shqipëria mund të bëjë vetëm përpara. Çdo lojtar që vjen këtu edhe nëse është i ri, me moshë i ka cilësitë dhe kualitetet për të luajtur ndeshjet”.