RTSH Sport Live

Vikingur i Islandës, kundërshtari i Egnatias

  • 19/07/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Vikingur i Islandës, kundërshtari i Egnatias
Skuadra e Reikjavikut do të presë kampionen shqiptare më 25 korrik

Egnatia do të ndeshet në raundin e dytë kualifikues në Conference League në grupin e skuadrave kampione me Vikingur Reikjavik. Skuadra e kryeqytetit të Islandës është kampione e vitit të kaluar, dhe kryesuese e kampionatit aktual, me pesë pikë më tepër se Valur, pas 14 javëve. Ashtu si Egnatia, edhe Vikingur luajti në raundin e parë kualifikues në Champions League, ku u eliminua nga Shamrok i Irlandës. Pas barazimit pa gola në Reikjavik më 9 korrik, Shamrok fitoi 2-1 ndeshjen e kthimit më 16 korrik në Dublin. Për islandezët, goli i vetëm u shënua nga Nikolaj Hansen, që shkurtoi diferencën në minutën e 60-të pas dy golave të irlandezëve në pjesën e parë. Hansen kishte në dorë shansin për ta çuar ndeshjen në shtesë përballë Shamrokut me 10 lojtarë, por në minutën e 98-të ai humbi një penallti, duke goditur shtyllën. Takimi i parë midis Vikingur, shtatë herë kampion i Islandës, dhe Egnatias do të luhet të enjten e ardhshme në Reikjavik, në stadiumin Víkingsvöllur, me kapacitet 1100 vende. Kthimi do të jetë në Elbasan Arena më 1 gusht.