RTSH Sport Live

Vllaznia e Skënderbeu, fituesit e Kupës së Shqipërisë

  • 10/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Vllaznia e Skënderbeu, fituesit e Kupës së Shqipërisë
Dëmtohet Izmir Smajlaj. Gega, Çardaku dhe Myrtollari rekorde të reja kombëtare

Vllaznia dhe Skënderbeu janë fituesit e Kupës së Shqipërisë në atletikë, që pasditen e së martës është zhvilluar në pistën e stadiumit “Loro Boriçi”. Jo vetëm kaq, por janë thyer dhe tre rekorde kombëtare. I pari vjen nga Luiza Gega në 5000 metra me kohën e re 15’22”18, ndërsa kështu ishte dhe sportistja më e mirë e aktivitetit. Më pas rekordi të ri në 100 metra për të rinj vendos Leandro Çardaku me kohën e re 11”01, teksa u shpall dhe sportisti më i mirë i aktivitetit. E në fund dhe një rekord të ri po në 100 metra, por këtë herë për të reja, ka ardhur nga Erisa Myrtollari me kohën e re 12”28.

Mundet të kishte dhe rekord tjetër kombëtar, ndërsa Franko Burraj në 200 metra ka qenë vetëm dy të qindtat larg përmirësimit të rezultatit që ai mban po vetë.

Ndërkohë si sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, ashtu dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, kanë vlerësuar jo vetëm organizimin, por dhe faktin që “Loro Boriçi” ka shansin për aktivitete ndërkombëtare në atletikë.

Një gjakovar fitues në Kupën e Shqipërisë pikërisht në 3000 metra për ngjyrat e Elbasanit: ai është Tirron Mamushi.

Kupa e Shqipërisë pati dhe pjesëmarrjen e atletëve ukrainas, të cilët që nga 30 marsi ndodhen në Shqipëri për t’iu shmangur sa më shumë luftës me Rusinë. Por pati dhe dëmtimin e Izmir Smajlajt, i cili për fat të keq është transportuar në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Megjithatë Kupa e Shqipërisë në atletikë për të rritur i përmbushi pritshmëritë e saj duke bërë që t’i lërë radhën aktiviteteve të tjera.