Vllaznia mundi 3-0 Bylisin për javën e 24-t të Abissnet Superiore. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, pas ekuilibrit në të parën. Shkodranët ecin me hapin e Egnatias kryesuese. Ndërkohë, te ballshiotët trajneri Nevil Dede ka dhënë dorëheqjen pas përfundimit të sfidës.
Sfida u zhbllokua në minutën e 53-të nga një autogol i Kamara. Stojanoviç 58’ dhe Kahrimanoviç 87’ kompletuan fitoren e kuqebluve.
Në intervistat pas ndeshjes, në lidhjen direkte me studion e emisionit “Super Gol” në RTSH, trajneri i ballshiotëve, Nevil Dede ka deklaruar se ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të ballshiotëve.
“Mendoj se një ndryshim do u bënte mirë këtyre djemëve. Do doja të falënderoja presidentin për suportin, por një ndryshim ndoshta sjell për skuadrën. Pas ndeshjes me Egnatian pata këtë diskutim me presidentin për të mirën e kësaj skuadre”.
“Nuk mund të bëja një lëvizje më parë, sepse nuk do të ishte etike, por në këtë moment ndryshimi besoj se do të sjellë përmirësim. Unë e kam marrë vendimin dhe ia kam transmetuar presidentit, gjithmonë duke menduar që të bëhet më e mira për këta lojtarë”.