Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka mbyllur të mërkurën takimet e kthimit të dy çifteve të tjera të çerekfinaleve, duke njohur edhe dy gjysmëfinalistet e tjera. Dhe në mbrëmje, e fundit që ka siguruar vendin e saj midis 4 më të mirave të kësaj veprimtarie ka qenë Vllaznia, e cila e ka siguruar biletën për në gjysmëfinalen e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë falë triumfit ndaj Erzenit. Ndonëse e kishin fituar ndeshjen e parë me shifrat 2-1 në Rrogozhinë, shijakasit kanë vijuar të munden thellë, 1-6, në ndeshjen e dytë në Shkodër përballë kuqebluve. Në fakt, shkodranët e kanë gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 13-të, kur Esat Mala finalizoi me sukses një aksion të bukur të vendasve.
Detyra e kuqebluve u thjeshtua në minutën e 40-të, kur, pas konsultimit me Sistemin e Ndihmës-gjyqtarit të Videos (VAR), kryesori Orlando Kuka e shndërroi nga të verdhë në të kuqe ngjyrën e kartonit për Atandën, duke i lënë shijakasit me 10 lojtarë. Dhe Vllaznia do ta mbyllë pjesën e parë në epërsi të dyfishtë, pasi është Bekim Balaj që realizon në minutën e parë shtesë.
Pjesa e dytë do të shohë Erzenin të provojë dhe, në minutën e 63-të, ka gjetur golin, pasi Stojanoviç ka kthyer në rrjetën e vet një pasim nga e djathta.
Loja më pas do të hapet, me të dyja skuadrat që kërkojnë, por pa sukses, golin që do të ndryshonte shumëçka dhe, për rrjedhojë, 90 minutat e kohës së rregullt do të mbyllen me shifrat 2-1 në favor të Vllaznisë, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila. Por në atë të parën, kuqeblutë gjejnë golin e 3-të, me atë të të futurit në fund të kohës së rregullt, Gomesh, që realizon në minutën e 98-të.
Pjesa e dytë e shtesës sheh Balën të realizojë në minutën e 108-të, duke plotësuar dygolëshin e tij në këtë sfidës.
Në minutën e 115-të, Gomesh realizon golin e 5-të të vendasve.
Në minutën e parë shtesë, Gomesh plotëson 3-golëshin e tij në këtë ndeshje, duke vulosur fitoren e Vllaznisë ndaj Erzenit me shifrat 6-1.