RTSH Sport Live

Volejbolli nuk humbet kohë, zbret në parket

  • 10/02/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Volejbolli nuk humbet kohë, zbret në parket
Aktivitetet për sezonin sportiv 2020-2021, do te fillojnë në datat 13 dhe 14 shkurt 2021

Volejbolli shqiptar nuk ka humbur kohë dhe, menjëherë sapo ka marrë “dritën jeshile” nga  autoritetet shëndetësore në vend për kthimin në parket, ka përvijuar edhe rrugëtimin e sezonit të ri. Vetëm 24 orë pasi ka marrë miratimin për rikthimin në parket, në ditën e parë të shkurtit, volejbolli shqiptar vijoi të shpallte edhe kalendarët përkatës.

Nëpërmjet një shkrese të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, u njoftua të gjitha shoqatat dhe klubet anëtare të saj se kampionatet e kupat për sezonin sportiv 2020-2021, do te fillojnë në datat 13 dhe 14 shkurt 2021. Dhe pasi ishte lënë disa ditë kohë, organizmi që qeveris rrjetën në vend ka zyrtarizuar edhe kalendarët e të 6 niveleve të Kampionatit Kombëtar.

Siç dihet, ky do të jetë një sezoni i ngjeshur, që nis në mes të shkurtit, duhet të mbyllet brenda 10-ditëshit të dytë të prillit, për të rriturit, ndërsa për moshat vazhdon deri në maj. Kështu, tek meshkujt, grupi A do të ketë 5 skuadra, ndërsa grupi B do të ketë 4 skuadra, që do të ndeshen me njëra-tjetrën me sistem vajtje-ardhje dhe dy të parat e renditjes së çdo grupi do të shkojnë më pas në gjysmëfinale, që do të zhvillohen me 3 takime, ndërsa finalja do të luhet me 5 takime.

E njëjta formulë do të zbatohet edhe tek femrat, ku të dy grupet do të kenë nga 6 skuadra. Ndërkaq, Kupa e Shqipërisë, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, do të luhet duke u mbështetur mbi bazën e renditjes së fazës së parë të kampionatit, me dy të parat e çdo grupi që ndeshen me njëra-tjetrën të kryqëzuar në gjysmëfinale më 10 mars, ndërsa finalja luhet më 14 mars.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Volejbollit ka sqaruar edhe formulën, por edhe ka zyrtarizuar kalendarët për kampionatet e tjera të moshave, përkatësisht atë të grupmoshës së Nën-21-vjeçarëve dhe Nën-19-vjeçarëve për meshkuj dhe të grupmoshës së Nën-20-vjeçareve dhe Nën-18-vjeçarëve për femra, por edhe formulën e Kupës “Rinia” që është ekuivalente e Kupës së Shqipërisë për këto grupmosha.