Vora edhe matematikisht tanimë, kjo tre javë përpara përfundimit të kampionatit të Kategorisë së Dytë, është ngjitur në të Parën. 47 pikë skuadra e Artan Mërgjyshit në krye të grupit A e ndjekur nga Veleçiku me 40 pikë, teksa të dyja skuadrat kanë nga dy ndeshje me pushimin në mes. Vora këtë javë është pushim. Më pas më 29 prill udhëton drejt Koplikut dhe më 3 maj pret Murlanin për t’u zyrtarizuar si fituese e grupit A. Ndërkohë Veleçiku shkon këtë të shtunë në Kuçovë, pret Vorën një javë më pas dhe në të fundit të grupit A është pushim. Ndaj në Vorë ka nisur festa.
Një skuadër, e cila ka pesë muaj që nuk njeh rezultat negativ. Më 1 nëntor ka barazuar 1-1 me Valbonën dhe më pas ka nisur aksionin e saj drejt suksesit final të kalimit në të Parën. 4-0 dhe 3-1 me Ilirinë, 3-2 dhe 2-0 me Naftëtarin, 3-0 me Murlanin, 7-0 me Shënkollin, 5-1 me Veleçikun, 4-0 me Bulqizën, 2-0 me Sopotin, 3-1 me Valbonën, 3-0 dhe 1-0 me Gramshin. Pra një skuadër shënon shumë dhe pëson pak, ndërsa di të fitojë dhe atëherë kur nuk është në ditën e saj më të mirë sikurse ishte ndaj Naftëtarit këtë të shtunë. Për të vërtetuar që është skuadër e denjë për një kategori më lartë vlen dhe fitorja e 25 marsit në miqësoren me Tiranën kryesuese të Abissnet Superiore, 2-0.
Eksperienca e Hidit, pavarësisht se në pjesën më të madhe të ndeshjeve ndodhet në stolin e rezervave, Raboshtës. Maganit dhe Xhemalajt gërshetohet mirë e bukur me më të rinjtë duke nisur nga Jata, Stafa, Gjoni, Karaj, Vrapi, Sefa, Meta, Prengaj, Bashaj, Lala, Shani, Avdiu, Ball etj, ndërsa Mërgjyshi ka guxuar të aktivizojë dhe futbollistë të datëlindjes 2006 e 2007 si Xhabafti, Jakupi, Thana, Zena, Plaku etj. Ndaj Vora e meriton plotësisht rikthimin në Kategorinë e Parë, që vjen pas një viti në këtë ligë me stadium të ri dhe me ambicje të mëdha. E bashkë me të, tashmë nga grupi B, dhe Elbasani, i cili të dielën ka fituar në Patos, 4-0, kurse Pogradeci ndjekës u ndal në Peqin, 0-0. Vora dhe Elbasani dy emra prestigjioz nga Kategoria e Dytë në të Parën.