RTSH Sport Live

Ylber Sefa e mbyll me çiklizmin

  • 04/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Ylber Sefa e mbyll me çiklizmin
 30-vjeçari, kampion i shumëfishtë dhe protagonist i viteve të fundit, tërhiqet nga sporti

Një nga protagonistët më të spikatur të çiklizmit shqiptar të këtij 10-vjeçari të fundit, Ylber Sefa, ka njoftuar tërheqjen e tij nga ky sport. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë 30-vjeçari në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale. “ Zyrtarisht kam vendosur dorëheqjen nga sporti i ciklizmit, ishte zgjedhja ime për tu larguar nga ekipi aktual Tartoleto Isorex,” - shkruan fillimisht çiklisti kuqezi, i cili më tej vijon: “Pas Kampionatit Kombëtar mora vendimin për të mos firmosur sërish me këtë ekip. Edhe pse jam akoma kampioni në fuqi prej 5 vitesh i Shqipërisë, arsyet e forta të jetës na shtyjnë ta braktisim sportin.

U deshën 15 vite sakrificë dhe mund për të arritur në këtë ditë dhe tashmë është momenti për t’i dhënë fund karrierës time si sportist, duke mos pasur një ekip apo mbështetje tjetër për ta vazhduar më tej. Një çerek shekulli jetë në sport, i përkushtuar në maksimum duke lënë gjurmët e mia në mendjen e publikut në historikun e çiklizmit shqiptar dhe atë botëror, uroj dhe shpresoj të mbetem shembull si një shpirt luftarak dhe me vullnet të fort për brezat e rinj që do vijnë në këtë sport.

Do të ishte kënaqësi ta vazhdoja më tej por njëkohësisht përsëri i kënaqur që po e lë, jeta vazhdon dhe gjëra më të rëndësishme na presin”, - përfundon Sefa, i cili ka mbizotëruar në garat e Kampionatit Kombëtar këto vitet e fundit, por ka spikatur edhe në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë, duke fituar etapa edhe në sezonet e fundit kur kjo garë u pjesë e kalendarit ndërkombëtar.