RTSH Sport Live

Zelimkan Abakarov është nënkampion Europe

  • 18/02/2024
  • |
  • Sporte të tjera
Zelimkan Abakarov është nënkampion Europe
Në finale mundet nga rusi Magomedov, 7-4, megjithatë podiumi është përsëri për të

Zelimkan Abakarov është nënkampion Europe në mundjen e lirë në peshën deri në 61 kilogram. Përtej pritshmërive, ndërsa deri në raundin gjysmëfinal ishte absolut, në finalen e së dielës pasdite nuk ka mundur ta përballojë rusin Magomedov. Në një ndeshje disi të ekuilibruar ka fituar në fund Magomedov, 7-4.

Kjo është hera e dytë që Abakarov del nënkampion Europe, teksa një gjë të tillë e ka bërë dhe një vit më parë në Zagreb. Kampion e medalist i bronztë në Botë, pa harruar që ishte i artë në Lojërat Mesdhetare në Oran dhe i argjendtë në Lojërat e Solidaritetit Islamik në Konia më 2022, Abakarov është gjithnjë në podium dhe një medalje e sigurtë për mundjen shqiptare.

I suksesshëm në turnetë ndërkombëtar, ndërsa është i pari që ka siguruar dhe normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Tanimë pritet të jetë i suksesshëm dhe në turnetë kualifikues për në Lojërat Olimpike në Azerbajxhan dhe Turqi. Gjithesi një e artë dhe një e argjendtë dhe Europiani rumun për mundjen shqiptare ishte mision i përmbushur.