Për herë të parë në Shqipëri vjen "Fury Fight Club 2", një event madhor me audiencë të gjerë anembanë globit, me sporte të disiplinave të ndryshme, si boks olimpik, kikboks dhe artet marciale mikse (MMA).
"Fury Fight Club 2" vjen gjashtë muaj pas edicionit të parë dhe organizohet më 26 maj në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" me mbështetjen edhe të Bashkisë së Tiranës.
Për "Jetë shqiptare" në RTSH, Jurgen Veizi, presidenti i "Fury Fight Club 2", tregoi detaje nga eventi.
"Do të nisë me 5 ndeshje boksi olimpik. Kombëtarja jonë do të përfaqësohet nga pesë sportistë të rangut europian dhe botëror, kundër ekipit italian. Në edicionin e parë ndeshjet ishin kundër ekipit nga Greqia. Herën e parë Kombëtarja shqiptare fitoi 3–2 dhe shpresojmë edhe këtë herë, por vështirësia është më e lartë, se sportistët e përzgjedhur janë më të fortë. Gjithsej janë 13 ndeshje të disiplinave të ndryshme," tha z. Veizi.
Për herë të parë në Shqipëri do të realizohet edhe një Grand Prix për peshën 85 kg. Në dy ndeshjet brenda natës do të luhet për titullin ISKA.
"ISKA është një titull kombëtar, por mbështetet nga një institucion ndërkombëtar i rëndësishëm, siç është International Sports Kick Boxing Association," shtoi Endi Balza, drejtori kreativ i "Fury Fight Club 2".
/rtsh.al/