Emisioni më jetëgjatë dhe më i dashur sportiv i shqiptarëve, Rubrika Sportive, është rikthyer të hënën në ekranin e Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, teksa ka marrë udhë edhe rrugëtimi i vitit të 54-t të asaj që padyshim quhet pasqyra kombëtare e futbollit, por edhe e sportit shqiptar.
Dhe, teksa ka ruajtur fizionominë dhe imazhin e tij, në prezantimin e Hygerta Sakos, ky edicion i 54-t ka nisur edhe me një sërë risish, që në emisionin e parë, që ka patur në fokus javën e dytë të Kategorisë Superiore, ecurinë e jashtëzakonshme të kampiones së Kosovës, Ballkanit, në Evropë, por edhe dy sfidat e ardhshme të Kombëtares. Paneli i pasur me ish-futbollistë dhe trajnerë të njohur, gazetarë, por edhe futbollistë aktivë, është pasuruar edhe më tepër me dy të ftuar të veçantë, teksa nga Suhareka ka qenë në një lidhje të posaçme trajneri i Ballkanit, i mirënjohuri Ilir Daja, i cili, pasi e pati çuar vite më parë Skënderbeun në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ka vijuar ta çojë kampionen e Kosovës dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Një tjetër i ftuar i veçantë, në lidhje direkte nga studioja e RTSH Korçës ka qenë edhe trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, skuadra e të cilit kryeson renditjen e Superiores me pikë të plota pas dy javëve të para.
Gjithçka ka qenë intensive dhe e mbushur me analiza, batuta dhe deklarata interesante, që, duke gjykuar nga emisioni i parë, premtojnë një sezon si kurrë më parë të Rubrikës Sportive në shtëpinë e sportit shqiptar, në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.