RTSH Sport Live

 “Humbja me Kukësin, mësim për ne”

  • 28/03/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
 “Humbja me Kukësin, mësim për ne”
Trajneri Osmani u tërheq vëmendjen futbollistëve, kujdes nga skuadrat që luftojnë për mbijetesë”

Humbja me Kukësin do t’u shërbejë si mësim futbollistëve të Vllaznisë. Kështu është shprehur trajneri i skuadrës shkodrane, Qatip Osmani. Ndërsa u ka kërkuar të kenë kujdes nga skuadrat që luftojnë për mbijetesë.

Periudha e pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtares i ka shërbyer trajneri Qatip osmani dhe lojtarëve të tij për të konsoliduar ekipin. Ai ka theksuar se humbja me Kukësin shërben si një mësim I mirë dhe futbollistët e tij duhet të kenë kujdes nga skuadrat që luftojnë për mbijetesë.

“Pushimi prej dy javësh, sigurisht që ishte në favorin tonë, kemi shfrytëzuar kohën për të konsoliduar ekipin. Kemi biseduar gjatë javës për ndeshjen me Kukësin dhe mendoj se ëhstë një mësim i mirë për ne. Me ekipet që luftojnë për mbijetesë është edhe më e vështirë të përballesh“.

Osmani nënvizon faktin se me Erzenin të gjitha ndeshjet kanë qenë të vështira. Por megjithë respektin për kundërshtarin, Vllaznia e tij kërkon fitoren.

“Çdo ekip duhet ta respektojmë, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhet. Presim momentin për të zbritur në fushë dhe të fitojmë ndeshjen“.

Smajli është mungesë e rëndësishme te Vllaznia në sfidën ndaj Erzenit, por te shkodranët ka kualitite për ta zëvendësuar këtë lojtar.

“Dihet që Smajli është lojtar standart, ka treguar paraqitje të mira. Por besojmë se dhe ai që do e zëvendësojë do të jetë në të njëjtin nivel“.

Ndeshja Vllaznia-Erzeni luhet të premten në orën 19.00 në stadiumin “Loro Boriçi“.