RTSH Sport Live

Izmir Smajlaj vendos rekord të ri kombëtar

  • 08/05/2021
  • |
  • Të tjera
 Izmir Smajlaj vendos rekord të ri kombëtar
Atleti shkodran kapërcen veten dhe regjistron 8 m e 16 cm, tanimë synon Olimpiadën

Izmir Smajlaj ka thyer të shtunën sërish rekordin kombëtar në disiplinën e kërcimit së gjati, duke kapërcyer largësinë prej 8 m e 11 cm që e mbante po vetë, dhe duke arritur largësinë e re prej 8 m e 16 cm. Një gjë të tillë kampioni shqiptar i Europës në kërcim së gjati në salla të mbyllura, e ka arritur gjatë Ditës së Kërcimeve, veprimtarisë që i kushtohej kësaj disipline dhe që mblodhi disa prej sportistëve më të mirë të saj.

27-vjeçari bëri një garë në rritje, duke kërcyer 7 m e 93 cm në provën e parë dhe 8 m e 6 cm në të dytën. Ndonëse kërceu, por me faull, 8 m e 26 cm në provën e 3-të, që u anulua kësisoj, shkodrani e korrigjoi veten në provën e 4-t, duke arritur largësinë e rekordit të ri.

Smajlaj ka provuar të shkojë edhe më larg në dy provat e mbetura, por pa rezultat. Sidoqoftë, ai ka qenë i kënaqur me këtë arritje. Tanimë ai e ka hedhur vështrimin drejt garave të ardhshme.